Edhe pse ligji obligon, institucionet shëndetësore nuk e kanë krijuar fondin për kompensimin e pacientëve. Po të njëjtat nuk e kanë kompensuar materialisht asnjë pacient për dëmet e shkaktuara gjatë trajtimit. Rastet e pakta të dëmshpërblimit janë pas ndjekjes së procedurave gjyqësore. Shoqata e Pacientëve e ka dërguar këtë çështje edhe tek Avokati i Popullit, por që nga viti 2019 nuk ka marrë përgjigje. Ndërsa, nga partia në pushtet zotohen se do të adresojnë këto çështje në kuadër të legjislacionit.
Kryetari i Shoqatës së Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra thotë se institucionet shëndetësore nuk i plotësojnë kushtet për shërbime të tilla. Sipas tij, shteti nuk është i gatshëm që të kompensojë pacientët të cilët kanë pësuar nga sistemi shëndetësor.
Ato pak raste të dëmshpërblimit ndaj pacientëve kanë qenë të procedurave gjyqësore, por jo edhe ato administrative.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Haxhi Avdyli thotë se janë duke punuar për bazë më të mirë ligjore, meqë pohon se e drejta e qytetarëve për kompensim nuk është zbatuar.
Madje, sipas tij, as edhe ato raste që kanë hapur raste gjyqësore, nuk kanë pasur baza të qartë ligjore se si të adresohen.
Kompensimi i pacientëve është i garantuar me Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor që nga viti 2004 (38/2004).
Bazuar në këtë ligj, Kodra thotë se asnjë institucion shëndetësor publik nuk mund të fillojë punën pa paguar taksën për përgjegjësinë institucionale. Megjithatë, kjo nuk po ndodhë në Kosovë.
Për këtë është pyetur zyra e Avokatit të Popullit se sa raste të ankesave të tilla kanë trajtuar dhe pse nuk kanë reaguar me kërkesën e Shoqatës së Pacientëve, por nuk kanë pasur gatishmëri të përgjigjen.
Në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se për dëmin e pretenduar dhe kërkesat për kompensimet materiale duhet të përgjigjen gjykatat.
KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë për numrin e rasteve gjyqësore që janë trajtuar në lidhje me këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, Kosova që 17 vjet ka vetëm të miratuar ligjin që parasheh kompensimin material të pacientëve, por që i njëjti nuk po implementohet./KP