Partia Socialdemokrate ka dorëzuar të enjten kallëzim penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për lirim të masave anti-COVID, në kohë kur numri të infektuarve po rritej.
Me këtë rast, anëtari i kryesisë së PSD-së, Dren Kuka tha në një prononcim për media se ministri Vitia me vendimin e datës 12 gusht ka konsumuar dy vepra penale, njërën të keqpërdorimit të pozitës dhe atë të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse.
Kuka: Shpresojmë që Prokuroria të nisë veprimet hetimore kundër ministrit Arben Vitia
“Sot e kemi dorëzuar një kallëzim penal, të cilin e kemi paralajmëruar javën e kaluar, kundër ministrit të Shëndetësisë, z. Arben Vitia, për shkak se i njëjti më datën 12 gusht të këtij viti konsiderojmë që i ka konsumuar 2 vepra penale, një të keqpërdorimit të pozitës zyrtare të nenit 114 të Kodit Penal, dhe veprën tjetër penale, të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse sipas nenit 249 të Kodit Penal, për shkak se vendimin e datës 12 gusht, siç ka deklaruar edhe vet, nuk e ka bazuar në rekomandimet e IKShPK-së. Ne kemi përgatitur një kallëzim penal me gjithsej 7 faqe, me gati 90 faqe prova, të cilat sot i kemi dorëzuar në Prokurori, e të cilat shpresojmë që kjo prokurori në kuadër të autorizimeve të saj, t’i marrë dhe t’i nisë veprimet hetimore kundër ministrit Arben Vitia”, tha ai.
Kurse Driton Çaushi tha se gjithçka ka të bëjë me një keqmenaxhim me pandeminë dhe me organizimin e pandemisë.
Ai para mediave shpalosi provat që i kanë dorëzuar në Prokurori.
Çaushi: Padia jonë do të duhej të shërbente si dëshmi serioze
“Asgjë në situatën epidemiologjike nuk tregonte për një nevojë për lirim të masave dhe ajo që kemi kuptuar… Kjo që sot e kemi dorëzuar si kallëzim penal dhe si çështje, do të duhej të përbënte një dëshmi serioze dhe është një rast serioz i faktuar nga lënda që e kemi dorëzuar por edhe nga vet z.Vitia”, tha ai.
Çaushi tha se nuk kanë ndonjë informacion për fshehjen e numrit të vdekjeve nga ministri Vitia, porse theksoi se nuk do të çuditej edhe po të ndodhte një gjë e tillë.