Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth dëmtimit të veturës së ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Flora Ahmeti zëdhënëse e Policisë ka thënë për KosovaPress se është raportuar për shpërthim në një veturë derisa nuk raportohet për të lënduar.
“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen, tha Ahmeti.
Sot, në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, e parkuar në parkingun e administratës, raporton KosovaPress.
Sipas njoftimit të ShSKUK-së, thuhet se dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të ShSKUK-së.
“Për incidentin janë njoftuar menjëherë organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila tashmë ka filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti. ShSKUK shpreh shqetësim dhe keqardhje lidhur me rastin, duke ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së. /KosovaPress/