​Organizatat e dala nga lufta reagojnë për vizitën e Trendafilovës

Organizatat e dala nga lufta e kanë konsideruar “fyese dhe të papranueshme” vizitën e paralajmëruar të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Ata e kanë ritheksuar kundërshtimin e tyre ndaj kësaj vizite dhe kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës “të mos bëhen pjesë e kësaj fasade”.

“Historia nuk fshihet me dyer të mbyllura, poashtu as e vërteta nuk trembet nga sytë e publikut”.

Ekaterina Trendafilova pritet të mbërrijë sot në Kosovë, për një vizitë deri më 14 maj.

Të martën, më 13 maj, ajo do të mbajë një takim me gazetarë në hotelin Sheraton në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, aty nuk do të lejohen kamerat, veçse transmetimi do të mundësohet përmes një linku.

“Vizita e paralajmëruar e Kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova, në Kosovë është jo vetëm e papranueshme, por edhe një fyerje e rëndë ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi. E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytëtarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencën, përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike”, thuhet në reagimin e organizatave të dala nga lufta.

Tutje, në reagim thuhet se “kjo qasje arrogante dhe fyese nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë”.

“E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër. Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët”, thuhet në reagimin e organizatave, që është i dyti rreth kësaj vizite të paralajmëruar./KosovaPress

Read Previous

Dielli do të bëhet më i nxehtë

Read Next

Raportohet se ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në takim te Kurti