Skuadra e Llapit mposhti sonte në “Fadil Vokrri” kampionin aktual Prishtinën me rezultat 3:1, duke fituar kështu për herë të parë Superkupën e Kosovës në futboll.
Prishtina erdhi e para në epërsi përmes Otto John në minutën 66, por kjo ishte e tëra që bardh-e-kaltrit arritën të tregojnë në këtë ndeshje.
Futbollistët e Llapit barazuan shifrat përmes Festim Alidemajt katër minuta para përfundimit të ndeshjes nga penalltia.
Në vazhdimet dy herë nga 15 minuta ishte serish skuadra e Llapit ajo që dominoi në fushë duke shënuar edhe dy gola të tjerë. Velmir Veliu në minutën 102 solli për herë të parë në epërsi llapjanët, ndërsa në minutën 114 Alidemaj u regjistrua edhe një herë në listën e golashënuesve, pasi ishte i pagabueshëm nga penalltia.
Prishtina në këtë ndeshje mbeti me nëntë lojtarë në fushë për shkak të ndëshkimeve me kartonë të kuq të Endrit Krasniqit dhe ndëshkimit me dy karton të verdhë të Halimit.
Kjo ndeshje u zhvillua me mbikëqyrjen për herë të parë të sistemit VAR në futbollin kosovar.