​Kurti: BERZh i rëndësishëm në rrugën e vendit drejt integrimit në BE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadorin e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti gjatë Samitit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, u pritën në takim nga presidentja e BERZh-it, Odile Renaud – Basso.

Fillimisht, kryeministri Kurti e falënderoi Renaud – Basso për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka dhënë Republikës së Kosovës, në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike të vendit, veçanërisht në periudhën pandemike.

Përveç parametrave makroekonomik të cilët dëshmojnë një përgjigje pozitive të ekonomisë ndaj qeverisjes njëvjeçare, kryeministri Kurti gjithashtu foli edhe për orientimin e qeverisë drejt tranzicionit të drejtë e të gjelbër energjetik.

Më tej, kryeministri Kurti u shpreh se Qeveria e Kosovës synon të hedh hapa të rëndësishëm në rrugën e vendit drejt integrimit në BE, dhe në këtë drejtim e shohim BERZh-in si një institucion të rëndësishëm në zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investiv të BE-së.

Ministri Murati, gjithashtu, theksoi se e mirëpresim strategjinë e re vendore të BERZh-it për Kosovën (2022-2027), si dhe vlerësojmë bashkëpunimin dhe përfshirjen e vazhdueshme të BERZh-it në fusha prioritare të identifikuara në këtë strategji, konkretisht mbështetjen në zhvillimin e sektorit privat, tranzicionin e drejt energjetik dhe forcimin e lidhjeve rajonale.

Sipas një komunikate të Qeverisë, presidentja Renaud – Basso e vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të vendit dhe objektivave të përbashkëta.

Read Previous

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare për zero diskriminim

Read Next

Këto janë masat e reja që hyjnë në fuqi nga sot