Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me rritjen e çmimit të bukës por edhe të produkteve tjera.
Kurti ka thënë se edhe Kosova sikurse gjithë bota i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vie si rezultat i katër faktorëve, asaj të shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave.
Kurti thotë se shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9%, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte.
Për këtë ai tha se po bëhet fushatë e cila trumbeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë.
Kryeministri Kurti tha se Qeveria është në anën e qytetarëve, ndërsa ata që fajësojnë qeverinë sipas tij nuk e kanë pasur asnjëherë brengë çmimin e bukës.
“Kurse ata që po fajësojnë Qeverinë tani, kurrë nuk e kanë pasur brengë çmimin e bukës, e as hallet e qytetarëve. Përndryshe do të kishin reaguar me kohë kur zaptohej toka bujqësore. Për 10 vite, më se gjysmë miliardë euro të taksave i kanë shpenzuar për bujqësi, e produktiviteti bujqësor ka pësuar rënie, sepse subvencionet nuk u shkonin bujqve por xhepave të miqve të tyre”, ka shkruar mes tjerash Kurti.
/KP/