​Kadrijaj: Kurti paradite deputet, pasdite kryeministër

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj la të hapur mundësinë që partitë që ishin në opozitë të procedojnë më tutje në Gjykatën Kushtetuese sa i përket situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës me seancat konstituive.

Kadrijaj tha se në këtë çështje “ndoshta duhet të ndërhyjë më tutje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani”.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje po e interpreton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese sipas vullnetit të tyre.

“Nuk do të përfundojë fare me këtë qasje që e ka zotëri Albin Kurti, ne e kemi pasur një takim konsultativ që është bërë sa për sy e faqe. Kemi qëndruar në një sallë për dy orë, ne si parti opozitare i kemi ofruar alternativat për zhbllokim të situatës duke ofruar votat pa asgjë. Vetëm të zhbllokohet kjo situatë… Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese po e shohim që këta nuk kanë reflektuar. Po e interpretojnë aktgjykimin sipas vullnetit të tyre… Zotri Kurti nuk po reflekton, nuk e di se çfarë po mendon. Zotri Kurti paradite është deputet, pasdite është kryeministër, marrin vendime që në fakt janë antiligjore. Ndoshta duhet të ndërhyjë edhe presidentja. Ndoshta deputetët dhe partitë ish opozitare duhet ta procedojnë më tutje në Gjykatë Kushtetuese”, tha Kadrijaj.

Sot dështoi për herë të 40-të seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. /KosovaPress/

Read Previous

Kusari-Lila: Do t’i drejtohemi Kushtetueses për mosvotimin e deputetëve opozitarë

Read Next

Ndalohet importi i gjedheve nga një zonë në Francë