​Ish-kryeshefi i KEK-ut deklarohet i pafajshëm për akuzën për korrupsion

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi është deklaruar plotësisht i pafajshëm lidhur me akuzën “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Krasniqi deklarimin për pafajësi e bëri në seancën e shqyrtimit fillestare, e cila u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinës.

Krasniqi: Plotësisht i pafajshëm

“Plotësisht i pafajshëm”, u deklaruar Krasniqi.

Prokurori Special, Dren Paca teksa ka lexuar aktakuzën tha se Nagip Krasniqi në cilësinë e personit zyrtar ka shfrytëzuar pozitën e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

Paca:Krasniqi në cilësinë e personit zyrtar e ka shfrytëzuar detyrën zyrtare

“Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi deri më 19 prill 2023 në Prishtinë në cilësinë e personit zyrtar ,respektivisht në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK shfrytëzon detyrën zyrtare me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE)”, tha Paca.

Sipas aktakuzës, operatorit “Holding Slovenske Elektrane”, i është mundësuar përfitim pasuror dhe shmangie nga pagesat tatimore, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës, në vlerë prej mbi 531 mijë e 920 euro.

Aktakuza thotë se dëmi material ndaj KEK-ut, është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.

Paca: Dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro

“Me ç’rast të njëjti i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro. Me këët ka kryer ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimin i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar’ “, tha prokurori Paca.

Ndërsa, Virtyt Ibrahimaga, mbrojtësi i ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi deklaroi se Prokuroria nuk ia ka dorëzuar mbrojtjes aktvendimin e fillimeve të hetimit.

Sipas tij, edhe kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike mbi të cilat bazohet Prokuroria Speciale, e ngarkon Nagip Krasniqin me veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtar”, nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe.

Avokati Ibrahimaga kërkoi nga Gjykata që ta obligojë Prokurorinë Speciale që brenda 10 ditësh t’ia dorëzojë aktvendimin e fillimit të hetimeve, si dhe kontratat për shitblerje të energjisë elektrike në gjuhën shqipe.

Ibrahimaga: Brenda 10 ditësh të na i dorëzoj Prokuroria aktvendimin e fillimit të hetimeve

“Prokuroria nuk e ka dorëzuar aktvendimin e fillimeve të hetimit. Konsiderojmë që duhet t’ia dorëzoj mbrojtjes e që është e obliguar t’ua dorëzojë të gjitha shkresat e lëndës…. Prokuroria nuk i ka dorëzuar akoma kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, këto kontrata janë prova bazë në të cilën mbështetet aktakuza, sepse sipas Prokurorisë këto prova dëshmojnë keqpërdorimin e detyrës zyrtare, këto prova akoma nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe për të pandehurin dhe për gjykatën….Mbrojtja nuk dëshiron ta zvarrisë këtë procedurë dhe mbrojtja është e gatshme të vazhdoj sot me këtë seancë, megjithatë i propozojmë sot gjykatës ta obligoj prokurorinë që mbrojtjes brenda 10 ditësh t’ia dorëzoj aktvendimin për fillimin e hetimit, kontratë për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe”, theksoi ai.

E për kërkesën e mbrojtjes së Krasniqi, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti obligoi Prokurorinë që në afat prej 15 ditësh të ofrojë provat e kërkuara nga mbrojtja.

Hoti: Brenda 15 ditësh të dorëzohen aktvendimi për fillimin e hetimeve dhe kontratë për gjuhën shqipe

“Lidhur me provat të cilën mbrojtja i ka kërkuar gjykata merr aktvendim që prokurori nga Prokuroria Speciale e Kosovës në afat 15 ditësh të siguroj aktvendimin për fillimin e hetimeve si dhe kontratat e përkthyera”, theksoi ai.

Më pas, prokurori special ,Dren Paca u shpreh se duke marrë parasysh që Krasniqi këto kontrata i ka nënshkruar në gjuhën angleze nuk i kanë përkthyer ato.

Pas deklarimit të të akuzuarit, Nagip Krasniqi, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti mori vendim që në afatin prej 30 ditësh i pandehuri dhe mbrojtësi i tij mund ta paraqesin kundërshtimin e provave të cekura në aktakuzë.

Seanca për shqyrtimin fillestare për rastin e ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi javë më parë kishte dështuar pasi mbrojtja nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës.

Prokuroria Speciale më 19 gusht 2024, e kishte ngritur aktakuzën për Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./KP/

Read Previous

Tentoi të dilte nga Shqipëria me 14 mijë euro të padeklaruara, procedohet penalisht

Read Next

Osmani takon Begajn në Bërdo Brione