Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se në koncept-dokumentin e projektligjit për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme është paraparë që të krijohet një Agjencion i pavarur që do të merret me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve në Kosovë në momentin kur ka shpërputhje. Ky agjencion sipas saj do të raportojë para Kuvendit të Kosovës me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme.
Por pikëpyetje për funksionimin e kësaj agjencie dhe fushëveprimatarinë e këtij ligji ka ngritur Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në kuadër të tryezës me temën: “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: Pesë çështje që duhet marrë parasysh gjatë hartimit te projektligjit”.
Në anën tjetër ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po konsiderohet i rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit në Kosovë.
Ministrja Haxhiu tha se nga opinionet që kanë marrë nga një ish-gjyqtar i Gjykatës së Strasburgut, lejohet që të ketë një autoritet me karakter administrativ që merret me hetimin dhe verifikimin e pasurisë së një zyrtari, por kjo duhet të ndërtohet me ligj.
Haxhiu: Projektligji ka paraparë krijimin e një agjencie për verifikimin e pasurisë së zyrtarëve
Video
“Projektligji që ne kemi hartuar ka për qëllim themelimin e një agjencioni të pavarur, i cili merret me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve në Kosovë në kuptim që kur një zyrtar ka pasuri në shpërputhje…. E ka të drejtën që ta ftojë zyrtarin dhe barra e provës i bie zyrtarit në mënyrë që i njëjti ta justifikojë pasurinë e tij, nëse pas analizave ekspertiza financiare, pasurore që bëhet nga ekspertët e pavarur të agjencionit pasuria nuk mund të justifikohet atëherë agjencioni i bën kërkesë gjykatës për konfiskim të kësaj pasurie… Agjencioni do të jetë i pavarur ne arsyetim, sepse e kemi konsideruar raportimin para Kuvendit me qëllim për ta ndalur ndonjë keqpërdorim të mundshëm në të ardhmen apo ndonjë keqpërdorim të kompetencave në të ardhmen çka ne jemi siguruar që i njëjti parasheh procedura që pamundëson këtë sidomos kur kërkesa për konfiskim i shkon gjykatës, pra është gjykata që vendos për konfiskim të pasurisë të një zyrtari… Në përfundim të ekspertizës së tij theksohet se kjo nuk përbënë cenim të të drejtave të njeriut sipas Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut… Pra, lejon që të ketë një autoritet me karakter administrativ që merret me hetimin dhe verifikimin e pasurisë së një zyrtari e rëndësishme është që organi që merr masa që mund të konsiderohen si ndërhyrje ndaj pronës të jetë parashikuar me ligj, pra me ligj po e themelojmë një agjencion të tillë”, tha Haxhiu.
/KP/