​Dy aksidente trafiku në Prishtinë, viktimat ndërruan jetë në spital

Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste aksidentesh trafiku që kanë përfunduar me fatalitet, si dhe për statistikat e përgjithshme të trafikut.

Sipas njoftimit, më 09 janar është raportuar se një viktimë mashkull ka ndërruar jetë gjatë trajtimit mjekësor, si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku që kishte ndodhur më 30.12.2025, rreth orës 16:45, në rrugën “Sokol Sopi” në Prishtinë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Policia po ashtu, ka bërë të ditur se një tjetër rast aksidenti me lëndime trupore ka përfunduar me fatalitet. Aksidenti kishte ndodhur më 03 janar rreth orës 14:33, në fshatin Slivovë, Prishtinë. Viktima, një femër kosovare, e cila po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndërruar jetë.

Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Përndryshe, dje Policia e Kosovës ka evidentuar 15 aksidente trafiku me të lënduar, 31 aksidente trafiku me dëme materiale, si dhe ka shqiptuar 2,314 tiketa trafiku.

Policia ka apeluar për kujdes të shtuar në komunikacion dhe respektim të rregullave të trafikut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve. /KosovaPress/

Read Previous

Rubio përshkruan tre faza të operacionit për Venezuelën

Read Next

Barcelona, Deco: Joao Cancelo na rrit cilësinë e skuadrës