​Cilat do të jenë porositë e Kallas gjatë vizitës në Kosovë?

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pritet të vizitojë Kosovën dhe Serbinë gjatë kësaj jave. Analistët politikë presin që Kallas në vizitën e saj të parë në Kosovë të sjell një plan konkret për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke marrë parasysh edhe paralajmërimin e presidentit francez, Emmanuel Macron në Tiranë se dialogu do të rifillojë në javën në vijim, shkruan KosovaPress.

Megjithatë, ka edhe dilema nëse mund të ketë diçka konkrete në zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar mes palëve në vitin 2023, përderisa në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Madje, në pikëpyetje, sipas analistëve, është edhe legjitimiteti i kryengociatorit kosovar, Besnik Bislimi nëse mund të zhvillojë takime në Bruksel dhe zbatojë zotimet në këtë proces, përderisa qeveria është në detyrë. Ani pse për një gjë të tillë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ditë më parë tha se Bislimi ka legjitimitetit të zhvillojë takime në Bruksel në emër të Kosovës, nëse kërkohet nga BE-ja.

Në lidhje me rifillimin e dialogut me Serbinë dhe mundësinë që kryenogciatori kosovar, Besnik Bislimi të zhvillojë takim trepalësh në Bruksel në zyrën e tij nuk dhanë përgjigje për KosovaPress. Të heshtur qëndruan edhe në Bashkimin Evropian mbi mesazhet që do t’i sjell Kallas në Kosovë e Serbi, derisa nuk treguan nëse do të ketë rifillim të dialogut në nivel të kryenegociatorëve.

Takimi i fundit në nivel të kryengoaciatorëve të dialogut ka qenë në dhjetor të vitit 2024.

Politologu, Albinot Maloku thotë për KosovaPress se shefja e diplomacisë së bllokut evropian pritet të sjell në Kosovë edhe mesazhin që e dha presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës në Tiranë për nevojën e rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, ai është skeptik nëse do të ketë ndonjë hap konkret të palëve për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

“Unë pash që presidenti francez, [Emanuel] Macron, paralajmëroi si vullnet për të ecur përpara drejt një dialogu të drejtë, një dialogu të drejtpërdrejtë. Për rrjedhojë, kemi planin franko-gjerman në të cilin Franca është dizajnuesi kryesor. Do të fillojë një riangazhim për faktin se dizajnuesit e këtij plani nuk e kanë kohën e Republikës së Kosovës por duan të kenë hapa të shpejtë dhe të konkretizuar. Dialogu dihet se është pjesa thelbësore e qeverisë së ardhshme që do të përballet dhe nuk është asgjë e re. A do të ketë diçka të konkretizuar? E vetmja gjë që mund të konkretizohet është se momentin kur rifillon dialogu do të bëhet matja se a ka bërë lëvizje Kosova dhe Serbia drejt jetësimit të ‘Po’-së së thënë në Bruksel dhe Ohër”, thekson ai.

Ndërkaq, analisti politik, Dorajet Imeri thotë se vizita e Kallas në Kosovë e Serbi tregon nevojën për të vijuar me procesin e dialogut mes dy vendeve.

Madje, ai deklaron se krijimi i këtij momentumi në dialog duhet të jetë një alarm zgjimi për partitë politike në Kosovë që të formohen institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Situata aktuale në vend duket se ka alarmuar diplomacinë perëndimore dhe në veçanti zonjën Kallas që ka paralajmëruar një vizitë në vendin tonë. Kjo vizitë është në frymën e asaj që presidenti francez e potencoi se javët e ardhshme pritet të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë prizëm konsideroj se BE-ja dhe shtetet veç e veç do të marrin me shumë seriozitet këtë çështje dhe kjo besoj do të jetë një alarm zgjimi për partitë politike në Kosovë që të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria. Në këtë mënyrë shmanget ky hendeku në të cilën gjendemi dhe zbrazëtia institucionale që gjendet vendi ynë. Prandaj ardhja e zonjës Kallas dhe deklarimi i presidentit francez disa ditë më parë janë në linjën e njëjtë – atë të nevojës për vijuar me procesin dialogues mes dy vendeve”, deklaron Imeri.

Javën e kaluar, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në samitin evropian në Tiranë, tha se nëse kërkohet nga BE-ja mund të ketë takime trepalëshe në Bruksel, pasi, sipas saj, Kosova ka kryenegociatorin në dialog me kompetenca të plota.

“ Kosova ka kryenegociatorin, që është me fuqi të plotë – zëvendëskryeministri i parë, i cili nuk ka kandiduar apo zgjedhur si deputet, ka kompetenca që, nëse kërkohet nga BE-ja, të ketë një takim në nivel kryenegociatorësh,” deklaroi Osmani.

Mirëpo, politologu Maloku thotë se pozicioni i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi është teknik dhe se ai nuk ka legjitimitet të marrë hapa drejt zbatimit të marrëveshjeve në dialog, derisa s’ka institucione të reja.

“Të tjerët nuk kanë legjitimitet, sidomos jo për të marrë hapa diçka që lidhet me dialogun. Pozicioni i tyre është teknik. Pavarësisht asaj nëse është deputet apo jo. Një figurë e qeverisë nuk është që ka legjitimitetin pasi njerëzit që ushtrojnë detyrat janë në pozicion teknik dhe pa kompetencë ligjore dhe kushtetuese për të marrë masa drejt implementimin që e prek Kosovën në aspektin ndërkombëtar”, shton Maloku.

Prej fundit të vitit 2024 nuk ka pasur asnjë takim në nivel të dialogut në Bruksel. Kosova dhe Serbia në vitin 2023 janë dakorduar për Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, mirëpo palët ende nuk kanë nisur zbatimin e saj.

Komisioni Evropian në shkurt të vitit 2025 ka emëruar përfaqësuesin e ri në dialog, diplomatin danez Peter Sorensen, duke zëvendësuar Miroslav Lajçakun.

Prej marrjes së detyrës edhe përfaqësuesja e re e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Kaja Kallas ka ritheksuar nevojën e rifillimit të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve./kp

Read Previous

A ka BE-ja ende mjete efektive për t’i shkaktuar dhimbje Rusisë?

Read Next

Haxhiu: Urojmë që opozita të reflektojë dhe të dalim nga kjo situatë