BE-së i kërkohet që të ndërmarrë masa të shpejta kundër Google
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka dhënë detaje për afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të vendit, raporton KosovaPress.
Ai ka thënë se pamundësia për ta zgjedhur të parin e vendit deri më datën 5 mars, automatikisht e dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme.
Sipas tij, partitë politike po zhvillojnë më shumë garë se kujt do t’i mbetet faji për moszgjedhjen e presidentit sesa të arrihet një zgjidhje që i jep vendit stabilitet.
“Kalimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit – që është 5 e jo 4 marsi – e çon vendin në situatë të mospërmbushjes së një obligimi kushtetues. Një gjendje e tillë praktikisht mund të adresohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme. Sepse, nëse afatet varen nga vullneti për të nisur procedurat, atëherë ato humbin çdo kuptim. Kjo, sa për analogji, do të ishte njësoj sikur afati për konstituimin e Kuvendit të mos fillonte pa u thirrur mbledhja konstituive. Mbi të gjitha, normat kushtetuese nuk mund të lexohen të izoluara dhe vetëm në mënyrë literale, sepse asnjë kushtetutë nuk mund të parashohë çdo situatë politike. Aq më pak që dështimi eventual i këtij procesi nuk do të jetë rezultat i ndonjë paqartësie kushtetuese, por i vullnetit politik. Apo, më saktë, i mungesës së tij për të gjetur zgjidhje”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Një ditë më parë, ish-zëvendësministri i Drejtësisë nga radhët e LVV-së, Blerim Sallahu, tha se vendi nuk shkon në zgjedhje nëse nuk zgjidhet Presidenti më 4 mars 2026, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në seancë plenare dhe në votim në tri raundet e përcaktuara kushtetuese.
Ai shkroi se posa të fillojë procedura e zgjedhjes së Presidentit, procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesën për masë të përkohshme, në mënyrë që afati për zgjedhjen e presidentit të vendit të pezullohet. /KosovaPress/