​Avokati i Popullit, Naim Qelaj jep detaje për takimin me Trendafilovan

Avokati i Popullit, Naim Qelaj deklaroi se takimi i së martës me kryetaren e Dhomave të Specializuara,  Ekatarina Trendafilova ishte me kërkesë të saj.

Në konferencë për media, Qelaj theksoi se ka shprehur shqetësimet që ka pranuar nga opinioni publik, por edhe nga familjarë.

“E para që kam përmendur është që shqetësimet që kanë qytetarët e kanë për gjykim të drejtë. Dhe kur kam përmendur këtë fakt kam cekur disa aspekte. Pastaj, standardet e dyfishta për kompensimin e viktimave. Pasiguria dhe ligjshmëria e provave që janë të siguruara nga autoritetet e Serbisë, sepse është kuptuar që ka një numër të madh të këtyre provave. Një shqetësim tjetër që unë kam ngritur është mënyra e funksionimit dhe struktura e Gjykatës”, u shpreh ai.

Ai tha se Trendafilova ka thënë se garantohen të drejta sipas standardeve ndërkombëtare.

Po ashtu, avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova nuk e kanë diskutuar çështjen e anulimit të konferencës, por në përgjithësi për transparencën në këtë proces.

Ai theksoi se do të ketë vizitë në Hagë dhe se i është konfirmuar që mund të shkojë si Avokat i Popullit. Megjithatë, theksoi se kompetencat janë të kufizuara.

Të martën për vizitë në Kosovë ishte kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u organizua një protestë kundër kësaj vizite.

Pas kësaj proteste, Trendafilova nuk e mbajti konferencën për media. /KosovaPress/Telegrafi/

Read Previous

Top pesë ligat evropiane bien dakord që afati kalimtar të mbyllet në të njëjtën kohë

Read Next

Hamilton: Te Ferrari e dinë se ku është problemi, po presim përditësimet për garën e radhës