Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Lirim Kastrati, është transferuar te klubi i njohur hungarez, Mol Fehervar.
Lajmin e kanë bërë të ditur vetë klubi nga Hungaria, të cilët nuk kanë shtuar detaje rreth shumës së transferimit nga Legia në Poloni.
Kastrati ishte pjesë e Legia-s që nga vera e vitit të kaluar, kur u transferua nga Dinamo Zagreb për shumën e 1.3 milionë eurove.
Ndërsa me klubin polak, kosovari regjistroi 33 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave shënoi dy gola dhe dhuroi tre asistime.
Ai debutoi në kombëtaren e Kosovës në vitin 2018, luajti 17 herë me fanellën e kaltër dhe shënoi golin e tij të vetëm deri më tani në fitoren 1:0 të Ligës së Kombeve kundër Moldavisë.
“Disa klube më kanë kontaktuar në periudhën e kaluar, por Vidi ishte opsioni më i mirë nga të gjitha pikëpamjet. Para se të pranoja ofertën e klubit, fola me drejtorin sportiv István Sallói dhe trajnerin Michael Boris dhe ishte shumë mirë që të dy donin që unë të transferohesha te Fehervar”, është shprehur Kastrati për faqen zyrtare të klubit.
“Një nga gjërat më të rëndësishme për një lojtar është të ndjejë besim. Përveç dy profesionistëve, fola edhe me ish-bashkëlojtarin tim, Myrto Uzuni, për futbollin hungarez dhe Vidin, dhe ai gjithashtu tha vetëm gjëra të mira si për kampionatin ashtu edhe për ekipin e Fehervar”.
“Mendoj se kjo është një mundësi e mirë për mua që ta tregoj veten, qëllimi im është të performoj në atë mënyrë që trajneri i Kosovës të llogarit përsëri tek unë”, tha mes tjerash Kastrati.
Vlen të ceket, se pas formës jo të mirë te Legia, Kastrati nuk u ftua nga Kosova në ndeshjet e fundit.
Kujtojmë që 23-vjeçari është produkt i akademisë së Shkëndijës së Tetovës. Ai më pas ka luajtur për Lokomotivën e Zagrebit, para se të transferohej te Dinamo për shumën e 2 milionë eurove në shkurt të vitit 2020.
Sa i përket klubit të ri të Kastratit, ata morën pjesë në këtë vit në kualifikimet e Ligës së Konferencës, por në “Play-Off” u eliminuan nga gjermanët e Koln, pavarësisht se në ndeshjen e parë në Gjermani morën një fitore befasuese me rezultat 1:2. /Albanianpost.com