Gjiganti italian, Milan ka njoftuar se Massimiliano Allegri është emëruar trajner kryesor i ekipit duke e zëvendësuar kështu paraardhësin e tij, Sergio Coincencao.
Negociata u mbyllën më shpejtë se sa pritej pasi për Allegrin kishte interesim edhe nga disa skuadra të tjera italine dhe evropiane. Ndikim të madh në këtë operacion pati edhe Igli Tare, i cili vetëm pak ditë më parë mori postin e drejtorit sportiv te ‘rossonerët’.
I lindur në Livorno më 11 gusht 1967, Massimiliano Allegri luajti në Serie A për Pisa, Pescara, Cagliari, Perugia dhe Napoli përpara se të fillonte karrierën e tij si trajner në vitin 2002. Ai drejtoi Aglianese, SPAL, Grosseto dhe Sassuolo përpara se të debutonte si trajner në Serie A me Cagliarin në vitin 2008.
Në vitin 2010, ai u bashkua me AC Milan, duke fituar Scudetton e 18-të të klubit në sezonin e tij të parë, të ndjekur nga Superkupa e Italisë në vitin 2011. Nga viti 2014 deri në vitin 2019, dhe përsëri nga viti 2021 deri në vitin 2024, ai ishte në krye të Juventusit, duke i udhëhequr ata drejt 5 titujve të Serie A, 5 trofeve të Kupës së Italisë dhe 2 Superkupave të Italisë. /KosovaPress/