Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas zjarrit që ka kapluar objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), mëngjesin e së martës, ku kanë thënë se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit.
“Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyrat e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë.
Tutje, nga kjo ministri që drejtohet nga Albulena Haxhiu, kanë thënë se menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrëfiksëve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes.
“Zëvendësministri [Blerim] Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar”.
Nga Ministria e Drejtësisë kanë theksuar se për zhvillimet me mëtutjeshme do të “informoheni me kohë”.
Ndryshe, objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së martës (21 nëntor), ndërsa udhëheqësi i ekipit të zjarrfikësve, Malë Gashi, ka njoftuar se zjarri tashmë është lokalizuar.
“Një zyrë është djegur në katin e dytë, nga zjarri janë djegur disa letra. Zjarri tashmë është lokalizuar, ndërsa sipas informatave që kemi, nuk ka persona të lënduar. Nuk dihen ende shkaqet”, ka njoftuar Gashi.
Policia e Kosovës ndërkohë ka thënë për Albanian Post se aktualisht, ekipet policore kanë nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen e së martës. /Albanianpost.com