Pas Shqipërisë edhe Maqedonia e Veriut po përballet me zjarre që kanë dalë jashtë kontrollit, e që po shkaktohen nga temperaturat e larta të ditëve të fundit, që kanë përfshirë pjesën më të madhe të Evropës Jugore.
Autoritetet maqedonase shpallën gjendje të jashtëzakonshme dhe po kërkojnë ndihmë, pasi 31 vatra të reja të zjarreve shpërthyen në të gjithë vendin ballkanik, pa dalje në det në 24 orët e fundit. Një zjarrfikës u raportua të jetë lënduar në Manastir.
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian është duke ndihmuar, sipas komisionarit të BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic. Katër avionë, dy prej tyre nga Turqia, po ndihmojnë zjarrfikësit, së bashku me qindra personel ushtarak.
Me zjarre po përballet edhe Italia. Ministria e shëndetësisë e këtij vendi ka vendosur 12 qytete nën paralajmërim për siç ka thënë më të keqen që mund të vijë. Kjo pasi një valë e nxehtë nga Afrika ka përfshirë Evropën Jugore, me temperaturat që kanë kaluar 40 gradë Celsius. Shërbimi i mbrojtjes civile raportoi se mori 18 thirrje për ndihmë të hënën për shuarjen e zjarreve që shpërthyen në disa rajone jugore.
Në Spanjë poashtu mot përvëlues, me shërbimin kombëtar të që tha se termometri ka regjistruar 44 gradë Celsius, në disa zona.
Edhe në Bullgari situatë e ngjashme. Kryeministri i këtij vendi, Dimitar Glavchev u bëri thirrje qytetarëve që të jenë “shumë të kujdesshëm” pasi temperaturat e larta të martën shkaktuan ndezjen e disa zjarreve në këtë vend. Situata aktualisht është nën kontroll, tha Glavçev, por kujtoi se kushtet e motit nënkuptojnë se zjarret mund të shkaktohen lehtësisht edhe nga pakujdesia më e vogël.
Paralajmërime për kujdes nga moti i nxehtë ka lëshuar edhe Turqia. Në qytetin e Stambollit, banorët, veçanërisht të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe ata me probleme shëndetësore, u këshilluan që të shmangin daljen nga ora 10:00 deri në orën 16:00./21Media