Pas rënies së këtij alarmi rreth orës 5:30 të mëngjesit të kësaj të diele, pacientët e urgjencës së spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë se janë zhvendosur në ambiente të tjera të spitalit si pasojë e zjarrit që ra në katin përdhesë të tij.
Shkak i kësaj ngjarje u bë djegia dhe shkrirja e disa baterive në një nga dhomat teknike të bodrumit të spitalit.
Situata u vendos në kontroll pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse.
Drejtoresha e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, Albana Fico, ka thënë se nuk ka asnjë të lënduar, teks pas ngjarjes së zjarrit që shpërtheu atje gjendja shëndetësore e pacientëve nuk ka ndryshuar.
“Për siguri më të lartë i kemi lëvizur brenda QSUT, nuk ka ndryshime të parametrave të tyre”, tha Fico.
Për një kohë të pacaktuar shërbimi i urgjencës është zhvendosur tek Spitali i Traumës dhe ai Universitar “Shefqet Ndroqi”.
“Për momentin e parë deri në garancitë përfundimtare teknike do të devijohen në këto dy spitale. Ndërkohë QSUT pavarësisht se nuk do jetë në pritje të urgjencave është e organizuar të drejtojë ata pacientë që do vijnë vetë jo nëpërmjet 127”, tha Fico
Sipas forcave zjarrfikëse shkak i djegies së baterive në katin -1 të urgjencës së QSUNT-së dyshohet të jetë mbinxehja e tyre. Dëmet janë kufizuar vetëm në dhomën teknike të bodrumit, pa prekur pajisjet shëndetësore. /Tv Klan/