Profesori nga University College London, Eric Gordy, nuk e përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Kosovë për shkak të ngërçit institucional dhe mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk ka arritur të sigurojë shumicën e votave për formimin e qeverisë. As partitë që deri tani kanë qenë në opozitë nuk i kanë numrat e nevojshëm. Megjithatë, kjo situatë duket se i konvenon Kurtit, i cili po vazhdon të udhëheqë me një qeveri në detyrë dhe ka gjasa që ta shtyjë kështu për sa kohë që të mundet”, tha Gordy.
Siç duket, rruga e vetme për dalje nga kjo situatë është mbajtja e zgjedhjeve të reja. Por tani shtrohet pyetja: a do ta ketë Kurti të njëjtën mbështetje? Situata aktuale në veri po i shkon përshtat si Kurtit, ashtu edhe Vuçiqit, pasi të dy po përfitojnë politikisht nga krizat. Megjithatë, këto zhvillime po e dëmtojnë marrëdhënien e Kosovës me Bashkimin Evropian” , shtoi tutje ai për Tëvë1.
Gordy theksoi se kryeministri në detyrë Albin Kurti po vazhdon të udhëheqë qeverinë ndërkohë që situata politike duket e ngrirë dhe si rrugëdalje e vetme shihet organizimi i zgjedhjeve të reja. Megjithatë, ai ngriti dyshime nëse Kurti do të ruajë mbështetjen e mëparshme në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Gordyt, në të ardhmen e afërt mund të krijohet një koalicion mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një opsion që sipas tij ka mbështetje të gjerë popullore. Ai vuri në dukje se LDK-ja mund të balancojë Kurtin dhe të parandalojë vendime të nxituara.
Profesori britanik bëri thirrje për më shumë përgjegjësi nga politikanët, duke theksuar se kriza po rrezikon arritjet demokratike të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Ai gjithashtu përmendi se partnerët ndërkombëtarë po kërkojnë formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja për të avancuar proceset politike në vend. /GazetaSinjali/