Zëvendësministri Ahmeti e Kryeministri i Fixhit flasin për thellimin e raporteve

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, është takuar me Kryeministrin e Fixhit, Sitiveni Rabuka, me të cilin ka biseduar për thellimin e raporteve mes dy vendeve.

Lajmi është bërë i ditur nga MPJ-ja përmes një komunikate për media të enjten, të cilët njoftuan për vizitën e Ahmetit në Oqeani.

“Zëvendësministri Ahmeti dhe Kryeministri Rabuka vlerësuan lartë marrëdhëniet midis dy vendeve. Diskutimi u përqendrua rreth marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi në rrafshin ndërkombëtar dhe zhvillimet e fundit botërore”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, bëhet me dije se u diskutua për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë për marrëveshjen në proces lidhur me konsultimet politike.

Lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, zëvendësministri Ahmeti, falënderoi Kryeministrin Rabuka, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Fixhi përgjatë proceseve integruese të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndërsa, sa i përket zhvillimeve të fundit botërore, u tha se është e rëndësishme që të ruhet paqja dhe stabiliteti. Të dyja palët vlerësuan se ndajnë të njëjtat vlera në këtë drejtim.

Në fund, zëvendësministri Ahmeti, falënderoi Kryeministrin Rabuka për mbështetjen dhe pritjen e bërë nga Republika e Fixhit. /Albanianpost.com

Read Previous

Albert Zogaj rizgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Read Next

Pse është i rëndësishëm procesi i licencimit të klubeve pranë FBK-së?