Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se është Lëvizja Vetëvendosje ajo që po refuzon të ndodhë konstituimi i Kuvendit, partitë e tjera kanë qëndrim të rezervuar.
Para seancës së sotme të Kuvendit, Zemaj ka shtuar se vetëm konsensusi mes partive mund ta zgjidhë ngërçin politik.
“Vetëm konsensusi mes subjekteve politike parlamentare e zgjedh këtë ngërç politik. Kemi qenë të qartë me propozimin tonë që nuk ka qenë sa për të blerë kohë, siç mundohet Lëvizja Vetëvendosje ta pasqyrojë por t’u japim mundësi qytetarëve që të kenë një mënyrë unifikuese për një kohë të caktuar. Refuzim kemi vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, tjerat parti kanë qenë të rezervuara… këtu nuk jemi për t’u sfiduar për pozita personale, ata janë. Kur të quhet qeveri ë unitetit nuk ka propozime personale… Njëherë duhet ta gjesh përkrahjen e tek atëherë të diskutohet për emrat e përvetshëm e për tema të përvetshme siç bën LDK-ja”, ka thënë ai.
Gjatë adresimit në media, avokati Arianit Koci, si qytetar i vendit, ka ndërhyrë duke kërkuar që të gjendet zgjidhje sa më shpejt.
Zemaj ka kërkuar nga ai që mos ta pengojë.
“Mos më pengo, a po të pengoj unë në punë tua? Nuk kam unë edukatë për të penguar. Nuk je ti ai që më tregon mua a të flasë a po jo, hera e parë dhe e fundit që më pengon. Me tjerët bëj ç’të duash, mua nuk më pengon”, ka thënë ai.
Ndërsa Koci, tutje ka vazhduar duke thënë se pas seancës së 30-të, kërkohet përfshirja direkte e Presidentes.
“Ish-polici i Njësisë Speciale është i arrestuar, kush prej shtetit të Kosovës nuk interesohet. Pas herës së 30-të unë kërkoj që direkt të përfshihet presidentja përndryshe edhe atë e bëj përgjegjëse”, ka thënë ai.