Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një takim me Kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, gjatë vizitës së tij në Romë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papës së ri, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas agjencisë ukrainase UNN, duke cituar kanalin zyrtar në Telegram të Zelenskyy-t, biseda u përqendrua në zhvillimet e fundit të negociatave të paqes me Rusinë që po mbahen në Stamboll, nevojën për shtimin e presionit ndërkombëtar ndaj Federatës Ruse dhe domosdoshmërinë e shkëmbimit të të burgosurve mes palëve.
“Fola për progresin e negociatave në Stamboll dhe rëndësinë e koordinimit të mëtejshëm të përpjekjeve tona. Sanksionet e ardhshme kundër Rusisë duhet të jenë të forta dhe të mbulojnë energjinë dhe flotën në hije,” deklaroi Zelensky.
Ai informoi gjithashtu Kryeministrin Carney për sulmet e fundit ruse me raketa dhe dronë kundër civilëve ukrainas, duke theksuar nevojën urgjente për të përforcuar sistemin e mbrojtjes ajrore të vendit.
Në qendër të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi brenda “Koalicionit të Vullnetshëmve”, një aleancë e krijuar për të përballuar agresionin rus dhe për të koordinuar mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën.
“Jam i kënaqur që përpjekjet tona në mbrojtje, në kundërshtimin e agresionit rus, në ekonomi dhe në çështjet ndërkombëtare janë të koordinuara mirë,” u shpreh ai.
Në përmbyllje, Presidenti Zelensky shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë dhe popullit kanadez në një periudhë të vështirë për vendin e tij.