Zelensky: Nuk do të ketë paqe të qëndrueshme derisa Krimeja t’i kthehet Ukrainës

Presidenti i Ukrainës po këmbëngulë që Rusia duhet të largohet nga i gjithë territori i vendit të tij – përfshirë Krimenë.

Udhëheqësit perëndimorë e kanë mbështetur Ukrainën në zmbrapsjen e forcave ruse që nga fillimi i pushtimit në shkurt, por Volodymyr Zelensky dëshiron të shkojë më tej dhe të rimarrë territorin e pushtuar fillimisht nga Rusia në vitin 2014.

Kjo përfshin Krimenë e aneksuar, së bashku me pjesë të rajoneve lindore të Luhansk dhe Donetsk (të cilat kanë qenë pjesërisht nën sundimin e separatistëve pro-rusë).

Duke folur për Financial Times, Zelenksy deklaroi se “Ne duhet të kthejmë të gjitha tokat… sepse besoj se fusha e betejës është rruga kur nuk ka diplomaci. Nëse nuk mund ta ktheni plotësisht tokën tuaj, lufta thjesht është e ngrirë. Është çështje kohe para se të rifillojë”.

Ai gjithashtu pranoi se fati i Krimesë po ngrihet në axhendën ndërkombëtare, raporton skynews.

“Unë e kuptoj se të gjithë janë të hutuar nga situata dhe çfarë do të ndodhë me Krimenë. Nëse dikush është i gatshëm të na ofrojë një rrugë për de-okupimin e Krimesë me mjete joushtarake, unë do të jem vetëm në favor”, tha ai.

“Nëse zgjidhja [nuk përfshin] de-okupimin dhe [Krimea] është pjesë e Federatës Ruse, askush nuk duhet të humbasë kohën e tij për këtë. Është humbje kohe”, deklaroi presidenti.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm në Ukrainë më 24 shkurt duke shkaktuar viktima ndër civilët dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/

Read Previous

Lirimi i infermiereve, avokati i familjes së të moshuarës: Besimi në drejtësi u shua

Read Next

Haxhiu: Fenomen tejet shqetësues vrasja e grave nga burrat