Haxhiu: Fenomen tejet shqetësues vrasja e grave nga burrat

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, reagoi pas vrasjes së sotme të një gruaje nga burri i saj në Prishtinë.

Haxhiu u shpreh se është fenomen tejet shqetësues, vrasja e grave nga burrat e tyre.

“Në mëngjesin e sotëm, rrugës drejt aktivitetit të parë të Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, aktivitetit në shkollë me nxënës dhe arsimtarë, mora lajmin tronditës: Një grua vritet nga burri i saj. Një arsimtare e një shkolle në Prishtinë. Ky lajm, kjo vrasje e rëndë, na pikëllon thellë të gjithëve, por ne do të gjejmë edhe më shumë forcë, drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale. Drejt luftës ndaj dhunës. Drejt vënies së drejtësisë.”, shkroi Haxhiu, me ç’rast i shprehu ngushëllime familjes, kolegëve dhe nxënësve të së ndjerës.

Një vrasje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në kryeqytet, ku burri 70-vjeçar ka vrarë gruan e tij 63-vjeçare. Rastin e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është ndaluar burri 70 vjeçari. Sipas Prokurorisë, I.G. (1952) ka vrarë gruan e tij me mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre në Prishtinë. /KosovaPress/

Read Previous

Zelensky: Nuk do të ketë paqe të qëndrueshme derisa Krimeja t’i kthehet Ukrainës

Read Next

Gjykata Kushtetuese forcon të drejtat e azilkërkusve ne Gjermani