Studimi danez: Reklamat dhe mashtrimet dominojnë gjithnjë e më shumë rrjetet sociale

Reklamat dhe mashtrimet po dominojnë gjithnjë e më shumë rrjedhat e përmbajtjeve në rrjetet sociale, duke i lënë në hije postimet e miqve dhe lajmet e bazuara në fakte, raportoi sot transmetuesi publik danez DR, duke iu referuar një studimi të ri, transmeton Anadolu.

Studimi, i realizuar nga studiuesit e Universitetit të Kopenhagës, Andreas Lindegaard Gregersen dhe Jacob Ormen, zbuloi se platformat kryesore, përfshirë Facebook, Instagram, YouTube dhe TikTok, po mbështeten gjithnjë e më shumë në përmbajtje të krijuara për t’i mbajtur përdoruesit duke lëvizur vazhdimisht nëpër platforma dhe për të gjeneruar të ardhura nga reklamat.

“Jemi të rrethuar nga reklamat”, tha Gregersen. Ai tha se platformat, të cilat dikur shiheshin si vende për t’u rilidhur me miqtë dhe për të diskutuar çështjet publike, tani i ekspozojnë përdoruesit ndaj një rrjedhe të vazhdueshme reklamash të hapura dhe të padeklaruara.

Ormen tha se postimet provokuese priren të tërheqin më shumë ndërveprime sesa lajmet e prodhuara profesionalisht, duke u dhënë potencialisht përdoruesve përshtypje të shtrembëruar për debatin publik. Ai shtoi se përmbajtje të tilla mund t’i bëjnë diskutimet publike të duken më të polarizuara sesa janë në të vërtetë.

Studimi është pjesë e projektit “Power Inquiry 2.0”, të nisur nga Parlamenti danez për të shqyrtuar ndryshimet në media, politikë dhe pjesëmarrjen demokratike gjatë dy dekadave të fundit. DR iu referua dokumenteve të brendshme të kompanisë Meta, sipas të cilave kompania vlerësoi se mbi 10 për qind e të ardhurave të saj vinin nga reklamat që promovonin mashtrime dhe mallra të ndaluara.

Meta nuk iu përgjigj kërkesës së DR-së për koment. Një zëdhënës i kompanisë tha më parë se dokumentet “shtrembërojnë qasjen e Metës ndaj mashtrimit dhe falsifikimit”. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Christel Schaldemose bëri thirrje për zbatim më të rreptë të rregulloreve ekzistuese të BE-së dhe gjoba më të larta financiare për shkeljet.

Ajo argumentoi se gjoba maksimale prej 6 për qind të xhiros, e parashikuar në Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së, ishte e pamjaftueshme, duke patur parasysh shifrat e të ardhurave të përmendura në dokumente. /Anadolu Agency/

Read Previous

Papa Leoni i bën thirrje botës të thyejë “zinxhirët ideologjikë dhe ekonomikë” që nxisin luftën

Read Next

Dy gjigantët italianë duan transferimin e Bruno Fernandes