Lirimi i infermiereve, avokati i familjes së të moshuarës: Besimi në drejtësi u shua

Avokati i familjes së të moshuarës që është sulmuar fizikisht nga infermieret, sot reagoi pas vendimit të Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi të të dyshuarave.

Meshari Selimaj për KosovaPress deklaroi se lirimi nga paraburgimi i infermiereve tregon tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të rastit.

Ai u shpreh se sot besimi në drejtësi për këtë rast u shua.

“Vendimi i Gjykates Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës, ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua.”, deklaroi Selimaj.

Gjykata Supreme i liroi nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Pejë. Lajmin për KosovaPress sot e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu. “Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojme se Kolegji gjyqesor i Gjykates Supreme, e ka pranuar si te bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë te mbrojtësit të pandehurës A.R., avokatit Blerim Ademaj.”, bëri të ditur ajo.

Ndryshe, sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 2 nëntor. Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë iu ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Të pandehurat A.P, A.R dhe R.K, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.

Lidhur me këtë rast, ka pasur reagime të shumta, si dhe protesta, derisa shtëpisë së të moshuarve, ku ka ndodhur sulmi i ishte hequr licenca. /KosovaPress/

Read Previous

Kush është favorit për ta fituar Botërorin, ky është parashikimi i Goal.com

Read Next

Zelensky: Nuk do të ketë paqe të qëndrueshme derisa Krimeja t’i kthehet Ukrainës