LeBron James do të qëndrojë me Los Angeles Lakers për një vit tjetër. Në sezonin e tij të 23-të në NBA, katër herë kampioni do të fitojë 52.6 milionë dollarë, duke e bërë atë lojtarin e 14-të më të paguar në ligën amerikane të basketbollit, të gjitha gjatë një sezoni në të cilin ai do të mbushë 41 vjeç.
Sipas gazetarit specialist, Shams Charania, i cili citoi agjentin Rich Paul si burim, LeBron do të jetë me ekipin kalifornian për një sezon tjetër së bashku me Luka Doncic-in, megjithëse e ardhmja e tij përtej kësaj mbetet në ajër.
“LeBron dëshiron të garojë për një kampionat. Ai e di që Lakers po ndërtojnë për të ardhmen. Ai e kupton këtë, por ai e vlerëson një shans realist për të fituar gjithçka”, zbuloi ai.
“Ne jemi shumë mirënjohës për partneritetin tetëvjeçar që kemi pasur me Jeanie Buss dhe Rob Pelinka dhe i konsiderojmë Lakers një pjesë thelbësore të karrierës së tij”, tha Paul.
Ky do të jetë sezoni i tetë i LeBron me Lakers-at, me të cilët ai fitoi një kampionat në sezonin e vitit 2020. Tani ata kanë një tjetër yll të nivelit të lartë që kur Doncic mbërriti në shkurt me shkëmbimin tronditës nga Dallas Mavericks.
Në moshën 40-vjeçare, LeBron është pikëshënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në NBA, ka katër tituj në karrierën e tij dhe ky sezon do të jetë i 23-ti i tij në ligën më të mirë të basketbollit në botë, duke tejkaluar rekordin që më parë ndante me Vince Carter prej 22.
Pavarësisht se është në pjesën e fundit të karrierës së tij, ai vazhdon të luajë në një nivel të jashtëzakonshëm dhe sezonin e kaluar mesatarisht shënoi 24.4 pikë, 7.8 ribaunde dhe 8.2 asistime për ndeshje me Lakers-at, të cilët humbën në raundin e parë të playoff-eve nga Minnesota Timberwolves. /Albanianpost.com