Zbulohet arsyeja pse kaq shumë makina luksoze në SHBA kanë targa të Montana-s

Ndërsa Zvicra njihet si një “parajsë për taksat”, në SHBA, shteti i Montanës po kthehet në një destinacion të preferuar për të pasurit që duan të shmangin taksat për makinat luksoze.

Montana nuk aplikon taksë mbi shitjet dhe nuk kërkon kontrolle teknike apo teste emisioni për automjetet.

Pavarësisht kërkesës për banim në shtet, shumë të pasur përdorin një zgjidhje ligjore duke krijuar një LLC (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) në Montana, e cila figuron si pronare e makinës.

Kjo u kushton rreth 1,825 dollarë, përfshirë edhe një taksë luksi prej 825 dollarësh — shumë më pak se taksat shtetërore që do të paguanin në shtete si Kalifornia apo Teksasi.

Për shembull, për një makinë si Aston Martin Valkyrie me çmim 3.5 milionë dollarë, taksa në Teksas do të arrinte 218,750 dollarë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, autoritetet nuk po qëndrojnë duarkryq.

Në Kaliforni, Departamenti i Automjeteve po përdor lexues të targave për të identifikuar ata që shmangin taksat.

Vetëm që nga viti 2022, janë regjistruar mbi 10,000 makina të shitura nga shitës kalifornianë përmes LLC-ve në Montana, me një vlerë totale prej 2 miliardë dollarësh. Deri tani, janë rikuperuar 1.6 milionë dollarë në taksa dhe gjoba.

Autoritetet theksojnë se nëse të pasurit i përdorin rrugët publike, duhet edhe të kontribuojnë për mirëmbajtjen e tyre. /Telegrafi/

Read Previous

​”The Guardian” për Shqipëri-Serbi: Pajisjet kundër dronëve janë gati

Read Next

Cristiano Ronaldo: Nuk do të luaj në Kupën e Botës për klube