Nga gjashtë garues sa ishin, Kosova ka arritur që t’i fitojë katër medalje në Kampionatin Evropian të xhudos, që është duke u mbajtur në qytetin e Montpellier të Francës.
Një medalje e argjendtë dhe tri të bronzta ka qenë bilanci përfundimtar për Kosovën në këtë kampionat.
Serinë e medaljeve e nisi të premten Distria Krasniqi, e cila fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë, e cila u mposht në finale nga përfaqësuesja franceze Amandine Buchard.
Po ashtu të premten, medalje fitoi edhe Nora Gjakova. Për dallim nga Krasniqi, ajo mori atë të bronztë, pasi që mposhti gjermanen Seija Ballhaus, ku fitoi me Ippon në kohën shtesë.
Dy medaljet tjera xhudistët kosovarë, përkatësisht Laura Fazliu dhe Akil Gjakova, i fituan të shtunën.
Në kategorinë deri 63 kilogramë, Fazliu në çerekfinale e mposhti francezen Clarisse Agbegnenou, e konsideruar si një nga xhudistët më të mëdha në histori.
Laura e mposhti me uazari, përkatësisht me hedhje të bukur në kohën shtesë.
Fillimisht Luara e mposhti ukrainasen Yuliia Hrbenozhko, teksa në gjysmëfinale u befasua nga sllovenia Andrea Leshki, që realizoi Ippon.
Ndërsa, Laura në luftë për medalje të bronztë e mposhti portugezen Timo Barbara, ku realizoi hedhje tjetër për fitore me Ippon.
Nga ana tjetër, Akli Gjakova, serinë e fitoreve e nisi me një fitore të veçantë – arriti që ta mposhtë me uazari përfaqësuesin e Serbisë Bajsangur Bagajev, ndërsa me dy uazari në rundin e tretë e mposhti bullgarin Mark Hristov.
Në luftën për medalje të bronztë Akili e kishte përballë legjendën e xhudos botërore, Lasha Shavdatuashvili. Ai arriti që të fitoi me një hedhje në kohën shtesë.
Ndërsa, dy xhudistët tjera pjesëmarrëse, Flaka Loxha dhe Loriana Kuka nuk arritën të fitonin medalje në këtë Kampionat Evropian.
Për suksesin në këtë kampionat shkroi edhe trajneri Driton Kuka.
“Akili sot kontribuoj për barazi gjinore! Medalja e Akilit përmbylli Evropianin më të suksesshëm deri më tani me plot katër medalje. Kosova mbi të gjitha…”, ka shkruar Kuka në Facebook.
Aktualisht, Kosova ka 23 medalje në Kampionatet Evropiane për seniorë.
/albanianpost/