Frank G. Wisner ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në “Bisedimet për Statusin e Kosovës”, nuk e ka përjashtuar mundësinë që me zgjedhjen e Donald Trump, si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky i fundit mund të eksplorojë idenë e korrigjimit të kufijve si zgjidhje të shpejtë.
“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që i përshtatet ai nuk do ta pres Kosovën që të bindet, ai do të jetë transaksional në kërkim të një marrëveshjeje për të bërë përparim”, ka thënë diplomati amerikan në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.
Kosova, në vlerësimin e tij, duhet të jetë e shkathët dhe të sigurohet që ka mbështetje të fortë nga evropianët.
“Por, rrugëtimi i saj mund të jetë e vështirë”, ka pohuar ai.
Ndërkohë në rast se drejtimin e Shtëpisë së Bardhë e merr kandidatja e Demokratëve, Kamala Harris, Wisner, nuk pret ndonjë lëvizje ku Serbia e njeh shtetësinë e Kosovës.
“Unë supozoj se administrata e Harris do të ndiqte synime më pak ambicioze ajo do të bënte përpjekje ta ulte Kosovën dhe Serbinë në një tryezë bashkë me evropianët. Do të synonte përparime më të vogla në ekonomi, tregti, kulturë, lëvizje të lirë, në gjëra të cilat fillojnë ta ulin temperaturën mes dy vendeve”, ka shtuar ai./Albanianpost.com