22 vjet më parë Aleanca Ushtarake Veri-Atlantike – NATO, në krye me Wesley Clark, Komandant Suprem i Forcave, nisën bombardimet për të liruar popullin e Kosovës nga gjenocidi që po kryhej nga forcat serbe. E për këtë ngjarje ka folur edhe njëherë me emocione të forta vetë Clark.
Ish-Komandant Suprem i Forcave të NATO’s Wesley Clark, ka thënë se ka ardhur koha që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai ka thënë se Republika e Kosovës është duke bërë progres të mirë si shtet i pavarur dhe demokratik.
“Kosova është duke bërë progres të mirë si shtet i pavarur dhe demokratik, në një rajon mjaftë të vështirë. Pa dyshim se është koha që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.”, ka thënë ndër të tjerash në një intervistë për Klan Kosova Wesley Clark.
Ai ka folur edhe për natën kur nisen bombardimet duke thënë se shqetësoheshin vetëm se “ne mund të dëmtonim njerëzit në Kosovë”.
“Në natën që nisën bombardimet, unë po shqetësohesha për pilotët, brengosesha se ne mund të dëmtonim njerëzit në Kosovë dhe, në të njëjtën kohë isha krenar me krerët politikë të NATO-s të cilët kishin marrë vendimin e duhur – të përdorej forca si mjeti i fundit”, ka thënë ish-Komandant Suprem i Forcave të NATO’s Wesley Clark.
Kujtojmë, që mbrëmë ka nisur edhe një debat në Serbi pas deklaratës së Ambasadorit të Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb, i cili tha se bombardimet në Kosovë në vitin 1999 ishin për të parandaluar gjenocidin dhe një katastrofë në Kosovë, e kjo deklaratë ka nxitur reagime në Serbi.
“Unë jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e diskutueshme dhe se nuk kishte asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të KB, për fillimin e veprimit ushtarak. Por duhej marrë një vendim, qëllimi ishte të shmangej një katastrofë humanitare, të shmangej gjenocidi”, tha Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb për për Radio Televizionin e Vojvodinës.
E i menjëhershëm qe reagimi i Kryetarit të Partisë Popullore Serbe, Nenad Popovic, ku tha se kjo deklaratë e Schieb është turpshme dhe ambasadori duhet t’i kërkojë falje Serbisë, nëse dëshiron të shërbejë aty.
“Deklarata e turpshme e ambasadorit gjerman në Beograd, Thomas Schieb, se Serbia duhej të bombardohej në 1999 për ta parandaluar gjenocidin, është kulmi i cinizmit”, tha sot Nenad Popovic.