VV do të ankohet në Supreme kundër vendimit të PZAP

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit siç e ka quajtur antikushtetues të PZAP-së.

Kështu ka paralajmëruar zyrtari ligjor i VV-së, Blerim Sallahu në Facebook, ku ka theksuar se nuk do të ndalen.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP-i), e ka refuzuar pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, pas moscertifikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga KQZ.

Sipas vendimit të publikuar nga PZAP, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi, nuk mund të certifikohen për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it palët mund të parashtrojnë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës në afate prej 24 orëve nga momenti i pranimit të vendimit të PZAP-it nga pala. Ndërsa Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre ankesave nga Gjykata Supreme e Kosovës është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre ankesave nga palët në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës janë përfundimtare dhe të zbatueshme për të gjitha palët. / Kosova Press

Read Previous

Sërish shifra të larta me koronavirus në Shqipëri

Read Next

KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-it, partitë paralajmërojnë ankesë në Supreme