Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë tha se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave në Deçan, por pranoi se hetimet “nuk janë të lehta”.
“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, tha prokurorja e rastit, Sahide Gashi, por pa dhënë detaje të tjera.
Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona – në mesin e tyre dy nxënës shkolle – mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit – rreth 100 kilometra larg Prishtinës.
Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist.
Në incident mbeti i plagosur edhe një person, por gjendja e tij shëndetësore mësohet të jetë stabile.