Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se BE-ja është e gatshme të veprojë shpejt për një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, por theksoi se bllokut i duhet kohë deri më 9 korrik për të siguruar një “marrëveshje të mirë”.
Deklarata e saj vjen pas një telefonate me presidentin amerikan Donald Trump, i cili ka shprehur zhgënjim me ritmin e bisedimeve dhe ka kërcënuar me tarifa deri në 50% për mallrat nga BE, nëse nuk ka marrëveshje deri më 1 qershor.
Trump më parë kishte vendosur një tarifë 20% për shumicën e produkteve evropiane, por më pas e uli përkohësisht në 10% deri më 8 korrik, për të dhënë hapësirë për negociata.
Von der Leyen u shpreh se Evropa është “gati të avancojë bisedimet shpejt dhe me vendosmëri”, por për një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme, kërkohet kohë deri më 9 korrik.
Ndërkohë, shefi i tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, tha se blloku mbetet i përkushtuar për një marrëveshje që i shërben të dyja palëve.
“Tregtia BE-SHBA duhet të bazohet në respekt të ndërsjellë, jo në kërcënime. Jemi të vendosur të mbrojmë interesat tona”, deklaroi ai.
Tensionet tregtare mes BE-së dhe SHBA-së janë shtuar muajt e fundit. Tarifat për çelikun dhe aluminin evropian në nivelin 25% janë ende në fuqi. Nga ana tjetër, BE-ja ka paralajmëruar kundërmasa – përfshirë tarifa 25% mbi mallra amerikane me vlerë 18 miliardë euro dhe masa shtesë për importe prej 95 miliardë eurosh.
Franca dhe Gjermania kanë bërë thirrje për zgjidhje diplomatike, duke paralajmëruar se një luftë tregtare do të godiste rëndë të dyja ekonomitë. /GazetaSinjali/