Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do t’i vizitojë javën e ardhshme gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për të shprehur përkushtimin e saj dhe të komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar, ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e bllokut.
Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Von der Leyen do ta nisë turneun e saj në rajon të mërkurën, më 23 tetor, me ndalesën e parë Shqipërinë, ku do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. ajo do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.
Më 24 tetor, ajo do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.
Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Fokusin e veçantë Von der Leyen do të ketë në paketën e BE-së për rritje dhe reforma në Ballkanin Perëndimor, e cila parasheh ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.
Të premten e kaluar, BE-ja i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.
Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat./REL