Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, pas një vizite në selinë e NATO-s në Bruksel, ka deklaruar se mund të ketë vetëm një zgjidhje politike për situatën aktuale në Kosovë – një zgjidhje që njeh dhe respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.
Ulutas ndërsa e cilësoi vizitën e tij në selinë e NATO-s në Bruksel si “shumë produktive”, potencoi se në këtë takim u artikuluan tre mesazhe kryesore “që ai dëgjoi me zë të lartë dhe të qartë në të gjitha takimet”.
“NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë mbështetje. Një zgjidhje e përhershme politike varet nga gatishmëria e të gjitha palëve që të përmbahen nga retorika dhe veprimet destabilizuese dhe në vend të kësaj të angazhohen në mënyrë konstruktive në mirëbesim në dialog me ndërmjetësimin e BE”, potencoi Ulutas.
E para nga tre mesazhet kryesore, sipas Ulutas, është se aleatët dhe partnerët e NATO-s mbështesin plotësisht përpjekjet e përditshme të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Ulutas potencoi se mesazhi i dytë kryesor është se KFOR-i është misioni më i gjatë dhe tani më i madhi i NATO-s dhe se ai përfaqëson një “demostrim konkret dhe të prekshëm të përkushtimit të fortë” të aleancës për stabilitetin rajonal.
“Ne do të sigurojmë që misioni ynë të mbetet i pajisur mirë dhe i vendosur në mënyrë që të vazhdojë zbatimin e mandatit të marrë nga OKB-ja, në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Kosovës dhe misionin EULEX”, shtoi ai. /Albanianpost.com