Miller: Shqipëria, partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë.

Kështu të paktën deklaroi – një ditë para vizitës – zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, i cili në një konferencë ka dhënë disa detaje në lidhje me agjendën e zyrtarit të lartë amerikan.

Miller shprehet se Shqipëria është partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor si dhe një zë i fortë i mbrojtjes së Ukrainës.

“Sekretari Blinken do të niset nesër për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë”.

Sipas tij, Shqipëria ishte një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.

Më herët ishte Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim (ish-ambasadore në Tiranë), e cila në një konferencë telefonike për shtypin së bashku me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien, theksoi se vizita vjen pasi “ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri”.

Jo vetëm kaq, ajo ravijëzoi se vizita vjen në një kohë kur SHBA-të duan të falënderojnë kryeministrin Edi Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023.

Kim shtoi se Blinken do të veçojë bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

“Duam t’i falënderojmë që ishin mikpritës kryesorë për afganët në nevojë dhe shqiptarët vazhduan kështu traditën e tyre historike për t’i strehuar ata që janë në rrezik”.

Në detaje ish-ambasadorja amerikane u shpreh se Blinken do të qëndrojë në Shqipëri që nga ora 11:00 paradite deri në 7-8 në mbrëmje dhe gjatë vizitës do të ketë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama.

Pas takimit me këtë të fundit do të ketë një konferencë për mediat e përbashkët.

Më tej Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.

Sipas Kim, takimi është i rëndësishëm jo vetëm për shkak se do të jetë një bashkëbisedim me të rinj që kanë studiuar në SHBA, por edhe pse mbahet tek Piramida që dikur ka qenë simbol i komunizmit dhe regjimit shtypës dhe izolues.

“Por rreth dy vjet më parë, Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, bashkëpunuan për ta shndërruar piramidën në thelb një inkubator për inovacionin në teknologji, kështu që mendoj se është një ide e bukur”.

Sekretari Blinken do të bashkohet gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për një forum publik mbi multilateralizmin.

Blinken më parë e ka vlerësur me nota pozitive vendin tonë si vend mik, partner dhe aleat të SHBA-ve.

Ai ka vlerësuar bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e SHBA-ve për ta thelluar bashkëpunimin në energji, biznes e të tjera duke e parë Shqipërinë si një pikë referimi në rajon.

Sekretari Blinken vazhdimisht ka shprehur mirënjohjen e SHBA-ve ndaj Shqipërisë si “një aleate që gjithmonë ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj”.

Ai po ashtu ka vlerësuar faktin që Shqipëria strehoi shtetasit afganë dhe nënvizoi se SHBA-të do të jenë gjithmonë në krah të vendit.

Kujtojmë gjithashtu se Blinken, e ka shpallur ish-kryeministrin dhe ish-presidentin shqiptar, Sali Berisha, si persona non-grata në SHBA, së bashku me familjen e tij më 19 maj të 2021-t.

Njoftimin për këtë ai e shpërndau përmes llogarisë së tij në X- dikur Twitter, pasi lajmi ishte publikuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ardhja e Antony Blinken në vendin tonë do të shënojë vizitën e katërt të një sekretari shteti në Shqipëri. /Albanianpost.com

Read Previous

Ismaili: Rregullorja e BQK-së nuk ka ndaluar drejtpërdrejt asnjë valutë

Read Next

​Sot mësohen gjysmëfinalistët e fundit në Kupën e Kosovës