Vinicius: Prioriteti i Real Madridit është Liga e Kampionëve

Është numri 7 i Real Madridit. Një numër i rëndë, por tashmë ka dy Champions League në koleksionin e tij dhe në dy finale shënoi gola. Ai është një nga yjet e nivelit të lartë të “Los Blancos”. Vinicius Jr. foli me CNN se si po ecën në nivelin personal dhe si e sheh ekipin e tij në një sezon të shënjuar nga ardhja e Mbappé.

Prioritetet – “Liga e Kampionëve është gjithmonë prioriteti ynë kryesor, pasi mbetet kompeticioni më i vështirë. Pas saj vijnë La Liga dhe Kupa e Mbretit. Çdo kompeticion ka rëndësinë e vet, por pesha e Champions League është më e madhe. Real Madridi gjithmonë kërkon të fitojë në këtë garë. Jo vetëm drejtuesit, por edhe tifozët e kërkojnë këtë nga ne. Synimi ynë është të fitojmë gjithçka që kemi përpara. Shpresoj që në fund të sezonit të arrijmë të fitojmë tripletën.”

Të jesh më i miri – “Kam ëndërruar gjithmonë të luaj për Real Madridin, kështu që e vlerësoj çdo moment si të ishte i fundit. Të gjithë duan të fitojnë me ekipin më të mirë në botë, të luajnë me më të mirët dhe të shënojnë gola, sidomos në finale. Unë jam vetëm 24 vjeç, dua të vazhdoj kështu sa më gjatë. Dua të bëj histori me këtë ekip të madh. Jo të gjithë e kanë këtë mundësi, ndaj dua të shijoj çdo moment me këtë fanellë.”

Marta si idhull – “Marta është më e madhja që ka luajtur ndonjëherë dhe kam një dashuri të madhe për të, sepse ndryshoi sportin dhe e çoi futbollin e femrave në nivelin që meriton. Futbolli i femrave po rritet dita-ditës. Dita dhe Marta ishin ‘pionieret’ e futbollit. Marta është për ne si Pelé për të gjithë në Brazil, si Ayrton Senna.”

Biseda me Ronaldon – “Kam takuar Ronaldon kohët e fundit në Ibiza. Ai më tha: ‘Trajno disa ditë këtu, sepse do të jesh më afër ‘Topit të Artë’. Po ia dal, do të ishte diçka vërtet e pabesueshme.’”

Real Madridi me Mbappé – “Skuadra është shumë e fortë dhe me ardhjen e Mbappé, të gjithë thonë se mund të bëhemi të pandalshëm. Megjithatë, duhet të përqendrohemi në stërvitje dhe të përpiqemi të kuptohemi sa më shpejt. Jam shumë i emocionuar për atë që mund të arrijmë këtë sezon. Mbappé ka ardhur në klubin ku gjithmonë ka ëndërruar të jetë dhe shpresoj që të shënojë aq shumë gola për ne sa ka bërë për ekipin e tij të mëparshëm dhe kombëtaren franceze.”

E tashmja dhe e ardhmja – “Gjithmonë luaj për të qenë ndër më të mirët dhe, çdo ditë që kaloj te Real Madridi, ndihem më i sigurt. Kam fituar dy Champions League dhe luaj me futbollistë që kanë fituar gjashtë trofe të tillë. Ata na motivojnë të luajmë përtej limiteve tona dhe të fitojmë po aq Liga të Kampionëve sa Carvajal, Modric, Nacho dhe Toni Kroos, të cilët kanë gjithsej gjashtë trofe.”

Ekipi i epokës – “Ne mund të kemi një nga skuadrat më të mira të dekadës së ardhshme. Tani duhet të tregojmë në fushë se mund të performojmë në mënyrë të përsosur. Unë dhe shokët e mi, në çdo ndeshje që luajmë, mendojmë për më shumë tituj për Real Madridin.” /Telesport.al/

Read Previous

Jake Sullivan në Pekin, përpjekje për stabilizimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë

Read Next

Zhvillimi i Energjisë së Rinovueshme – sfidat dhe objektivat