Rreth dy mijë persona kanë aplikuar deri më tani për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale. Mbi 1300 prej tyre që kanë dëshmuar para Komisionit Qeveritar historinë e dhimbshme të vitit ’98-99 kanë filluar të marrin beneficionin. Në anën tjetër janë 244 gra e burra të cilët janë refuzuar nga komisioni, por ky numër konsiderohet i lartë.
Shumë prej të mbijetuarave e kanë të vështirë të dëshmojnë atë se çfarë u ka ndodhur, në rastet kur kërkohen dëshmitarë ose dokumentacione shëndetësore. Këto të fundit, i kishin asgjësuar nga frika se do të zbulohen nga familja. Kjo po paraqet sfidë të dyfishtë për të mbijetuarit e dhunimit seksual.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti për KosovaPress thotë se një numër i madh i viktimave pas rikthimit në shqyrtim po arrijnë të marrin statusin e viktimës së dhunës seksuale.
Në rastet e refuzimit, gratë e burrat nuk po arrijnë të bindin anëtarët e komisionit se janë viktimë e dhunës seksuale. Shumë nga këta persona kanë filluar të harrojnë në saktësi ngjarjen, disa nuk po ofrojnë dëshmi të mjaftueshme.
Mjeku i luftës në zonën operative të Shalës, Shukri Gërxhaliu kishte trajtuar me dhjetëra gra të dhunuara nga viti 1999 deri në vitin 2014. Madje, ai ka të ruajtura shumë shkrime të grave, të cilat nganjëherë e patën të pamundur që të vijojnë deri në fund rrëfimin e tyre para tij.
Gërxhaliu kishte ndihmuar këto gra deri në vitin 2014, ndërkaq në tërësi ka të evidentuar mbi 130 gra dhe burra të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjendja e grave që përjetuan dhunim seksual nga forcat policore, siç tregon Gërxhaliu, ishte shumë e rëndë. Shumica e të mbijetuarave shkonin për trajtim pa dijeninë e familjarëve për shkak stigmës.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tregon se tashmë pas më shumë se dy dekadave, gratë e burrat duhet të ndajnë narrativën në rrethana sa më të detajuara.
Nga anëtarët e Komisionit Qeveritar kërkohet përshkrimi i ngjarjes nga i mbijetuari, dëshmitari, por në raste edhe dokumentacione shëndetësore, psikologjike apo nëse janë pjesë e proceseve gjyqësore.
Shumë nga gratë e mbijetuara nga dhunimi seksual këto dokumentacione shëndetësore i kanë asgjësuar.
KosovaPress më parë kishte raportuar se nga katër organizata të ndryshme janë evidentuar rreth 40 viktima që tashmë nuk jetojnë më, por ky numër mund të jetë edhe më i lartë.
Dëshmitë, rrëfimet e përjetimet të krimeve të luftës po mbeten të padëgjuara.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale është njohur me ligj në vitin 2014. Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018. /KP/