VIDEO | Kështu duket modeli bazë i Mercedesit të vitit 2025

Kur një markë automobilistike prezanton një model të ri, zakonisht e paraqet në dritën më të mirë të mundshme – me motorin më të fuqishëm, pajisjet më luksoze dhe dritat që ju ndjekin edhe kur nuk po i shikoni. Mercedes nuk bën përjashtim.

Ndërsa gjenerata e tretë e CLA-së debuton në një version elektrik glamuroz me pajisje të pasura, konfiguratori gjerman zbulon edhe realitetin e versionit bazë, i cili është, për të thënë butë, krejt ndryshe.

Në vend të ekranit mbresëlënës 14-inç për pasagjerin që zbukuron versionet më të shtrenjta, CLA-ja bazë ofron një panel plastik me ngjyrë të zezë me shkëlqim, me yje të vogla të stampuara të Mercedesit. Edhe gryka e ajrit me stil turbinash është hequr, e zëvendësuar me një estetikë të thjeshtë, thuajse asketike, që ngjall një ndjesi sterile.

Ekrani multimedial mbetet i pranishëm me madhësi diagonale 14 inç, por ndoshta më interesante është mënyra si janë thjeshtuar pjesët e tjera të brendshme. Kontrolli fizik për klimën nuk ekziston më – gjithçka është transferuar në sistemin e informacionit dhe argëtimit (infotainment). Ka vetëm dy ndërprerës për xhamat, dhe timoni përdor sipërfaqe me prekje në vend të butonave klasikë – një trend që shpesh ndan mendimet e përdoruesve.

Ulëset janë të veshura me lëkurë sintetike, ndërsa lëkura natyrale ofrohet me pagesë shtesë. E gjithë pamja është moderne, por për disa mund të duket disi e ftohtë apo edhe e paplotësuar krahasuar me gjeneratën e mëparshme.

Nga jashtë, CLA-ja bazë vjen me disqe 17-inç, ndërsa me pagesë shtesë ofrohen edhe disqe 18 apo 19 inç. Meqë bëhet fjalë për një model plotësisht elektrik, madhësia e rrotave ndikon edhe në autonominë e makinës. Shiriti i ndriçuar në pjesën e përparme mbetet i pranishëm edhe në versionin më bazik – ndonëse disa mund të preferonin që ai të mungonte. Ndoshta vetura do të dukej më elegante ashtu.

Ajo që mbetet konstante janë dritat. Logo të vogla të Mercedesit gjenden në fenerët e përparmë dhe të pasmë, si dhe në panelin që zëvendëson grilën klasike të radiatorit – më se të mjaftueshme për të ruajtur identitetin e markës.

Çmimi në Gjermani për versionin elektrik CLA fillon nga 55.858 euro për variantin CLA 250+ me 272 kuaj fuqi. Versionet me benzinë, kur të dalin në treg, ka gjasa të jenë më të lira, ndërsa modelet për tregun amerikan gjithashtu pritet të jenë disi më të përballueshme. /Telegrafi/

Read Previous

Suspendohen dy zyrtarë policor në Mitrovicë

Read Next

Tërmet në detin Marmara