Shqipëria renditet ndër vendet europiane me përqindjen më të ulët të popullsisë së klasifikuar si obeze.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2022, 12.6% e të rriturve në Shqipëri rezultonin obezë, një nivel dukshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila ishte 16.3%.
Në renditjen europiane, Shqipëria pozicionohet pranë vendeve me normat më të ulëta të obezitetit. Greqia regjistroi një nivel prej 12.8%, ndërsa Rumania 12.9%. Norma më të ulëta se Shqipëria u raportuan vetëm në Malin e Zi, me 7.8%, dhe Itali, me 7%.
Në skajin tjetër të renditjes qëndron Malta, ku 26.6% e popullsisë rezultonte obeze. Pas saj renditen Letonia me 24.6% dhe Islanda me 24.2%.
Megjithatë, të dhënat për Shqipërinë duhen interpretuar me një rezervë të rëndësishme. Shifrat më të fundit të disponueshme për vendin i përkasin vitit 2022, ndërsa për një pjesë të vendeve të tjera europiane ka të dhëna më të përditësuara, përfshirë ato të vitit 2025. Për këtë arsye, renditja nuk përfaqëson domosdoshmërisht situatën aktuale në të gjitha vendet.
Çfarë është BMI?
Indeksi i Masës Trupore, i njohur si BMI (Body Mass Index), është një tregues që përdoret për të vlerësuar raportin mes peshës dhe gjatësisë së një personi. Ai llogaritet duke pjesëtuar peshën në kilogramë me katrorin e gjatësisë në metra.
Sipas klasifikimit të përdorur nga Eurostat, një person i rritur konsiderohet obez kur BMI është 30 ose më i lartë. Vlerat nga 25 deri në më pak se 30 klasifikohen si mbipeshë.
Obeziteti si tregues i shëndetit publik
Eurostat e përdor normën e obezitetit si një nga treguesit për monitorimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), veçanërisht SDG 2 – “Zero uri” dhe SDG 3 – “Shëndet dhe mirëqenie”.
Lidhja me SDG 2 shkon përtej mungesës së ushqimit. Objektivi përfshin edhe luftën kundër kequshqyerjes dhe përmirësimin e cilësisë së ushqyerjes. Në Europë, obeziteti konsiderohet një nga problemet kryesore të lidhura me mënyrën e të ushqyerit.
Ndërkohë, në kuadër të SDG 3, niveli i obezitetit shërben si një tregues i rëndësishëm i rrezikut për sëmundje kronike dhe për gjendjen e përgjithshme shëndetësore të popullsisë.
Në këtë kontekst, shifra prej 12.6% e raportuar për Shqipërinë e vendos vendin në grupin e shteteve europiane me normat më të ulëta të obezitetit, por diferenca në vitet e të dhënave duhet marrë parasysh përpara se të bëhen krahasime të drejtpërdrejta me vendet e tjera. /Albanianpost.com