Vetëm 215 nga 45 mijë emigrantët e vitit të shkuar, janë deportuar nga Britania

Vetëm 215 nga 45 mijë 755 emigrantë, të cilët kaluan kanalin e La Manche vitin e kaluar, janë deportuar, tregojnë shifra të reja, në një kohë kur qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është nën presion për të penguar kalimet në kufi.

Natalie Elphicke, deputete konservatore për rajonin e Doverit, ka kërkuar një strategji të re me fokus që Franca të marrë përgjegjësinë për të parandaluar anijet e vogla të largohen nga brigjet e tyre dhe t’i rikuperojnë ato nëse kapen në Kanal.

“Numri i emigrantëve që deportohen ose kthehen është aq i ulët sa nuk po shërben si pengesë”, tha ajo qartazi lidhur me çështjen.

Për më tepër, është pikërisht kjo arsyeja sipas saj, pse është jetike që në radhë të parë të ndalohen anijet që largohen nga Franca dhe emigrantët e kapur në Kanal të kthehen menjëherë atje.

“Zyra e Brendshme duhet të kontrollojë përpunimin e tyre për t’i deportuar pa vonesë”, shtoi më tej ligjvënësja britanike.

E gjitha, vjen pasi bandat e kontrabandës së njerëzve po pretendojnë se kanë “varkat më të sigurta” në një përpjekje të dëshpëruar për të joshur emigrantët të kalojnë Kanalin Anglez.

Një hetues i lartë në Agjencinë Kombëtare të Krimit tha se bandat janë më “kaotike” dhe “sporadike” sesa rrjetet e drogës apo armëve, ku kriminelët kanë role specifike.

Paul Morris, tha se kontrabandistët nga “grupet e bazuara në kombësi”, kontrollojnë seksione të ndryshme të kampeve të emigrantëve në Francën veriore.

Kriminelët e poshtër madje, siç shton ai, po “tallen” me sigurime të rreme për migrantët, lidhur me cilësinë e varkave dhe motorëve.

Përkundrazi, varkat janë shpesh aq të dobëta sa kanë nevojë për përforcim me dru për të parandaluar rënien e pjesës së poshtme.

Kontrabandistët po grumbullojnë gjithnjë e më shumë njerëz në varka.

Kontrabandistët shqiptarë kanë ulur çmimet për kalimet e Kanalit me varka të vogla në 3 mijë paundë për emigrant, në një përpjekje për të kundërshtuar efektin “parandalues” të planeve të qeverisë për maune dhe dëbim.

NCA beson se rritja e shqiptarëve ishte një tendencë “sezonale”, por nuk mund të përjashtohet që diçka e ngjashme të ndodhte këtë vit.

Bandat shqiptare në fakt vepronin si ndërmjetës midis mijëra emigrantëve dhe kontrabandistëve kurdë. Ata pastaj do të merrnin pjesën e tyre të haraçit.

Morris tha se bandat kurde ende kontrollojnë kryesisht rrugët përtej Kanalit nga Franca në Britani.

Për britaniken “Daily Express”, ai tha se do bëhet një hapësirë më e ngarkuar brenda këtyre [kampeve dhe pikave të kalimit kufitar], me lehtësues që po luftojnë për klientët dhe indikacionet janë se grupet do të pretendojnë se kanë varkat më të sigurta ose kanë motorët më të mirë.

“Ndërmjetësuesit po tallen me motorët dhe varkat dhe po japin siguri të rreme për klientët e tyre si pjesë e planit të tyre”, shtoi më tej ai, duke përqendruar faktin tek kriminelët e rinj, të cilët po e nxisin edhe më shumë krizën e emigrantëve.

Një zëdhënës për shtyp i Ministrisë së Brendshme tha se rritja e konsiderueshme e udhëtimeve të rrezikshme dhe të paligjshme në këtë vend, ushtron presion të madh mbi sistemin e azilit, duke ngadalësuar përpunimin e rasteve individuale që mund të përballen me dëbimin ose largimin.

Ligji i Migracionit të Paligjshëm – i pritshëm të kalojë në Parlamentin britanik – do të ndalojë varkat dhe do të sigurojë që ata që arrijnë ilegalisht të ndalohen dhe të largohen menjëherë në vendin e tyre të origjinës ose në një vend të tretë të sigurt.

Por pikëpyetja e madhe, është vetëm një: Do të (dis)funksionojë si vitin e shkuar, apo siç pretendohet? /Albanianpost.com

Read Previous

Pavarësisht krizës energjetike, Gjermania mbyll tri centrale bërthamore

Read Next

Zelensky: Shpresoj për paqe në Pashkët e vitit të ardhshëm