Vendimi për heqjen e stikersave në targa mirëpritet nga ambasadorët – optimizëm për zbatim të marrëveshjeve tjera

Qeveria mbrëmë mori vendimin për të hequr letrat ngjitëse në automjetet me targa serbe që hyjnë në Kosovë, me kryeministrin Albin Kurti i cili tha se kjo është bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura.

Kryeministri Kurti u shpreh se kjo situatë e re i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve.

“Por ky vendim fillimisht po vjen pas përdorimit dy vjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë; dhe, tash së fundmi, si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje (sidomos në Beograd).”

Sipas kryeministrit, kjo çështje është përdorur për të kërcënuar Kosovën më 2021, e më pas për ta destabilizuar veriun më 2022 dhe së fundmi për të ulur presionin nga ndërkombëtarët, në dhjetor të vitit të kaluar.

“Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021, përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022.

E këtë vendim e mirëpritën edhe ambasadorët si ai gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ai francez Olivier Guerot. 

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Joern Rohde, përmes një postimi në platformën X [ish-Twitter], tha se kështu është lehtësuar udhëtimi mes dy vendeve fqinje.

“Lamtumirë stikersa në targa. Mirëpresim vendimin e qeverisë kosovare dhe serbe për largimin e regjimit të stikersave, kështu u bë më lehtë udhëtimi mes dy fqinjëve”, shkroi ai.

Këtë e mirëpriti edhe ai francez, i cili e vlerësoi si fillim të mbarë të vitit heqjen e afisheve për veturat nga Kosova dhe Serbia duke shtuar se ky është një shembull i mirë për të nisur edhe zbatimin e marrëveshjeve tjera. 

“Nuk ka më nevojë për afishe në targat e automjeteve të Kosovës dhe Serbisë. Një mënyrë e mirë për të filluar vitin, duke ua lehtësuar jetën qytetarëve të të dy vendeve. Një shembull i mirë për zbatimin e marrëveshjeve të tjera”, shkroi Guerot në rrjetin social ‘X’.

Lidhur me këtë vendim reagoi edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila tha se ky është një hap më shumë drejt realitetit të cilin Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet.

Nuk ka më ngjitëse në tabela të automjeteve kur udhëtoni nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Ajo që ishte dizajnuar si masë e përkohshme tani është përfundimisht e tepërt. Një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet dhe kontribuon për paqe dhe përparim në rajon”, shkroi ajo.

Më 23 qershor, 2015, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel dy vendet arritën një Memorandum Mirëkuptimi për Njohjen e Ndërsjelltë të Policave të Sigurimit të Automjeteve, nën lehtësimin dhe garantimin e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit Evropian të Byrove.

Kjo marrëveshje u nënshkrua në prani të asokohe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, tash presidentit Aleksandar Vuçiq.

Kjo marrëveshje u iniciua me këmbëngulje të palës kosovare dhe ishte pjesë e diskutimeve të vazhdueshme që nga fillimi i vitit 2013.

Përmes kësaj, automjetet e regjistruara në Kosovë ishin në gjendje të kalonin në territorin e Serbisë me sigurim MTPL, ndërsa automjetet e regjistruara në Serbi ishin në gjendje të kalonin përmes Kartonit të Gjelbër.

Në këtë mënyrë, palët patën hequr një pengesë të padrejtë drejt lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës.

Kjo marrëveshje gjithashtu mundësonte krijimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë ndërmjet Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe Shoqatës së Siguruesve të Serbisë.

Marrëveshja e nënshkruar ishte sidomos në interes të qytetarëve të Kosovës, meqë mundësonte uljen e kostos së kalimit kufitar me automjete.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Konjufca: Mosndëshkimi i Serbisë po e rritë numrin dhe natyrën e sulmeve mbi Kosovën

Read Next

Sveçla: Kemi mjaftueshëm dëshmi për sulmin në Banjskë, Prokuroria t’i publikojë rezultatet