Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Leonard Ademaj ka deklaruar se po bëhen tre vite nga vrasja e Liridona Ademajt dhe se për familjen procesi ka qenë i vështirë për t’u përballuar.
Ai tha se sipas familjes dhe asaj që është paraqitur gjatë procesit gjyqësor, Naimi Murseli e ka organizuar vrasjen së bashku me Kushtrim Kokallën, duke zgjedhur Granit Plavën si ekzekutor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Është e qartë se Naimi ka kërkuar vrasjen e Liridonës përmes Kushtrimit, i cili më pas ka gjetur Granitin për ta kryer aktin”, tha Ademaj.
Ai shtoi se takimi i parë me fëmijët e viktimës ka ndodhur rreth tetë muaj pas ngjarjes dhe se ata fillimisht nuk e kanë ditur se si ta përballonin situatën.
Sipas tij, fëmijët janë shprehur kundër babait të tyre dhe edhe pas gati tre vitesh nuk pranojnë të komunikojnë me të.
Në fund, Ademaj kërkoi që të gjithë të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.
Prokurorja kërkon burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë
Prokurorja Javorka Perlinqeviq ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Sipas Perlinqeviq, është vërtetuar se Naim Murseli ka vepruar për përfitim financiar apo moral, duke e simuluar një grabitje në të cilën viktima është trajtuar si “dëm kolateral”, ndërsa sipas pretendimeve të aktakuzës, ai ka marrë pjesë në organizimin dhe planifikimin e vrasjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancë është theksuar se vrasja është kryer nga i akuzuari Granit Plava, i cili ka shtënë me armë që është siguruar përmes Naim Murselit, ndërsa një tjetër i akuzuar ka ndërmjetësuar në sigurimin e armës dhe kontaktin mes personave të përfshirë.
Ajo thekson se të akuzuarit ngarkohen edhe për moslajmërim të veprës penale dhe kryerësve të saj, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në kërkesën përfundimtare, Perlinqeviq i ka propozuar gjykatës shpalljen fajtorë të të akuzuarve, duke vlerësuar se veprimi, mënyra e kryerjes, sjellja pas ngjarjes dhe tentativat për manipulim publik rëndojnë pozitën e tyre, ndërsa sipas saj nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese.
Prokurorja ka kërkuar që të shqiptohet dënimi maksimal i paraparë për veprën penale “vrasje e rëndë”, respektivisht burgim i përjetshëm.
Prokurorja: Tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit synojnë shmangien e përgjegjësisë penale
Prokurorja Javorka Perlinqeviq, në fjalën përfundimtare, tha se pas zhvillimit të procedurës së provave, ku janë paraqitur të gjitha provat materiale të grumbulluara gjatë hetimit, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët relevantë që kishin njohuri lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe pas paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, po përmbyllet një proces gjyqësor që, sipas saj, ka sqaruar një krim makabër – vrasjen e Liridona Ademajt Murseli, të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.
Perlinqeviq tha se në këtë fjalë përfundimtare fokusi do të jetë në faktet e paraqitura nga dëshmitarët dhe rrethanat e shqyrtuara gjatë gjykimit, dhe jo në procedurën paraprake.
Sipas saj, djali i madh, në prani të psikologut, ka deklaruar: “hajni e futi dorën dhe ia bëri mamit ban”.
Gjithashtu, ajo përmendi dëshminë e Leonardit, sipas së cilës fëmijët e kanë sqaruar qartë ngjarjen dhe nuk dëshirojnë të komunikojnë me babain e tyre, të akuzuarin Naim Murseli, duke refuzuar edhe thirrjet telefonike të mundësuara përmes Qendrës për Punë Sociale në Suedi.
Prokurorja theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tre versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, të cilat, sipas saj, paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale dhe bartje të fajit te të tjerët, duke e quajtur këtë “tre skenarë të ndryshëm të një ngjarjeje”.
Ajo shtoi se, sipas provave të administruara, i akuzuari Naim Murseli ka kaluar pasditen e ditës kritike me të akuzuarin Granit Plava, me të cilin dyshohet se ka blerë armën e përdorur në kryerjen e veprës, si dhe ka përdorur veturë të huazuar në atë periudhë.
Sipas saj, këto rrethana nuk përputhen me deklarimet e mbrojtjes dhe analizat e videoincizimeve tregojnë lëvizje të koordinuara të automjeteve.
Po ashtu, Perlinqeviq përmendi se në qershor të vitit 2022 familja Murseli në Suedi kishte paguar një policë sigurimi në emër të viktimës Liridona Ademaj, dhe se sipas saj, pas kësaj, i akuzuari Naim Murseli i kishte kërkuar të akuzuarit Kushtrim Kokalla të gjejë mënyrën për vrasjen e saj.
Vrasja e Liridona Ademajt, priten fjalët përfundimtare në rastin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve
Sot, më 17 prill, mbahet seanca e fundit për vrasjen e Liridona Ademajt, ku pritet të paraqiten fjalët përfundimtare në rastin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes me marrëveshje për pagesë prej 30 mijë euro.
Në rastin për veprën penale “Vrasje e rëndë”, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Fatime Dermaku, Gent Beka dhe Alban Ajvazi, ndërsa prokurore e rastit është Javorka Perlinqeviq.
Të akuzuar në këtë rast janë Naim Murseli, i përfaqësuar nga avokati Shemsedin Piraj dhe Teuta Zhinipotoku, Granit Plava i përfaqësuar nga avokati Skender Gojani, si dhe Kushtrim Kokalla i përfaqësuar nga avokati Ndrec Dodaj.
I dëmtuar në këtë rast është Leonard Ademaj, i përfaqësuar nga avokati Leotrim Sylaj.
Në seancën e fundit për vrasjen e Liridona Ademajt u parashtruan pyetje mbi jetën private dhe u mbyll shqyrtimi gjyqësor.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.
E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.
Detajet nga aktakuza i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.