Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e 21 korrikut 2025 në një vendpunim në Gjakovë, ku dy punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e rënies nga objekti gjatë kohës sa po punonin. Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Gjakovë përmes një njoftimi zyrtar drejtuar opinionit publik, transmeton TV Syri Vision.
Menjëherë pas marrjes së informacionit nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, Prokurori kujdestar, njësitet përkatëse policore si dhe Inspektorati i Punës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
📄 Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Gjakovë:
Ndalohen dy persona për 48 orë
Gjakovë, 21 korrik 2025 – Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton opinionin publik se më datë 21.07.2025, është informuar nga Policia e Kosovës për një incident tragjik të ndodhur në një vendpunim, ku si pasojë kanë humbur jetën dy (2) punëtorë.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, Prokurori kujdestar, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe Inspektorati i Punës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Po ashtu, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy (2) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh lidhur me këtë rast, për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të njëjtëve do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria e Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti. /tvsyrivision/