Vazhdon për të dytën natë shtetrrethimi në Los Angeles

Një shtetrrethim është në fuqi për natën e dytë në Los Angeles pas gati një jave trazirash në qytet për shkak të bastisjeve të emigracionit në SHBA.

Shumë persona janë arrestuar për shkelje të shtetrrethimit në qendër të qytetit menjëherë pasi ai hyri në fuqi në orën 20:00 sipas orës lokale, raporton BBC.

Gati 400 persona janë arrestuar në Los Angeles që nga fillimi i protestave të premten, përfshirë 330 emigrantë pa dokumente dhe 157 persona të arrestuar për sulm dhe pengim, përfshirë një për tentativë vrasjeje të një oficeri policie.

Prokurorët federalë deri më tani kanë akuzuar dy burra për hedhjen e koktejeve molotovi ndaj oficerëve të policisë në dy incidente të ndara.

Një total prej 4,000 trupash të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsash janë vendosur për të ndihmuar në shuarjen e trazirave. Disa nga këto trupa të Gardës Kombëtare tani janë të autorizuar të ndalojnë njerëzit derisa policia t’i arrestojë.

Teksa ka filluar shtetrrethimi gjatë natës, kryetarja e Los Angelesit, Karen Bass, ka shkruar në X se ai është vendosur për të “ndaluar aktorët e këqij që po përfitojnë nga përshkallëzimi kaotik i presidentit”.

Bass më parë ka fajësuar bastisjet e imigracionit të presidentit Trump për demonstratat, që sipas saj  “provokuan” banorët duke shkaktuar “frikë” dhe “panik”.

Bass ka sugjeruar që Los Angelesi është “pjesë e një eksperimenti kombëtar për të përcaktuar se sa larg mund të shkojë qeveria federale në marrjen e pushtetit nga një qeveri lokale, nga një juridiksion lokal”.

Ajo i ka bërë thirrje administratës që t’i japë fund bastisjeve.

Urdhri i shtetrrethimit prek një sipërfaqe prej rreth një milje katrore në qytetin e dytë më të madh në SHBA./koha.net/

Read Previous

Ambasada gjermane në Ditën e Çlirimit: Kosova, storie suksesi

Read Next

SHBA-ja rishikon paktin për nëndetëset Aukus me Britaninë dhe Australinë