Vazhdon gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës. Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, do të vazhdojë këtë të hënë (16 tetor).

Procesi gjyqësor pritet të nis në ora 09:00, ndërsa seancë do të ketë edhe të martën, të mërkurën e të enjten (17, 18 dhe 19 tetor). Seancat e fundit gjyqësore për këtë muaj priten të mbahen më 30 dhe 31 tetor, duke e çuar në 10 numrin e seancave gjyqësore për këtë muaj.

Nga mbi 300 dëshmitarë, deri më tash janë dëgjuar 29 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa këtë të hënë pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të 30-të.

Dëshmitarët janë dëgjuar kryesisht në seanca private, përveç dëshmisë së ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, dëshmisë së Francis Ladwidge, oficer i shërbimeve të inteligjencës së Britanisë së Madhe që gjatë luftës kishte shërbyer në Kosovë dhe dëshmisë së Dragica Bozhaniç, viktimë e pretenduar lufte.

Gjithashtu edhe hulumtuesi i lartë në organizatën ndërkombëtare “Human Rights Watch”, Fred Abrahams, ka dëshmuar në seancë të hapur për publikun për krimet e pretenduara të luftës nga pjesëtarët e UÇK-së, gjë që ka shkaktuar një valë të reagimeve në lidhje me kredibilitetin e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale.

Abrahams e kishte pranuar se informatat e tij për krimet e pretenduara kanë ardhur nga burime të shtetit serb dhe nuk janë hetuar e as verifikuar në mënyrë të pavarur. Ben Emmerson, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ka gjetur shumë mangësi në raportet e shkruara nga dëshmitari i 22-të kundër krerëve të UÇK-së.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Dhomat e Specializuara kanë shpalosur aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është barazvlerësuar me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. /Albanianpost.com

Read Previous

Parlamenti Evropian do të kërkojë masa ndëshkuese ndaj Serbisë për agresionin në Banjskë

Read Next

Ndahet nga jeta Martti Ahtisaari