Vazhdojnë evakuimet nga zjarret në Greqi

Autoritetet në Greqinë qendrore lëshuan urdhra evakuimi për disa komunitete të mërkurën teksa u përballën me shpërthime të reja zjarresh, të intensifikuara nga erërat e fuqishme dhe temperaturat e larta që kalojnë 40 gradë Celsius.

Sipas brigadës së zjarrfikësve, brenda 24 orëve të fundit, 61 zjarre u ndezën në të gjithë Greqinë, me incidentet më të rënda në afërsi të qytetit qendror të Velestinos. Si masë paraprake, zyrtarët udhëzuan evakuimin e gjashtë lagjeve aty pranë.

Flakët u luftuan ashpër nga zjarrfikës të shumtë, të cilët morën mbështetje nga 15 makina zjarrfikëse dhe katër avionë.

Një tjetër zjarr shpërtheu pranë qytetit qendror të Lamias, duke bërë që banorët nga disa vendbanime të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ndërkohë që zjarret në ishullin e Rodosit kishin rënë ndjeshëm, më shumë se 20,000 turistë dhe vendas kishin evakuuar tashmë hotelet dhe banesat e tyre në bregdet gjatë fundjavës.

Megjithatë, zjarrfikësit po luftonin ende me një flakë të pakontrolluar pranë një zone malore në jug të Rodosit, e cila ishte djegur për më shumë se një javë.

“Beteja me zjarret shkatërruese vazhdon sot në disa fronte nga të gjitha forcat e Mbrojtjes Civile në kushte ekstreme”, tha zëdhënësi i zjarrfikësve, Ioannis Artopios, gjatë një konferencë. Ai shtoi se “Sot është dita më e vështirë e kësaj vere”.

Artopios paralajmëroi se rreziku për zjarre do mbetet “ekstrem i lartë” për rajone të ndryshme të Greqisë edhe të enjten.

Ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të Greqisë, Vasilis Kikilias, theksoi se vendi po përballet me “ditë vere shumë të rrezikshme”./Reporteri.net/

Read Previous

Kuvendi mban dy seanca sot, në rend dite Projektligji për skemat pensionale

Read Next

Kosova mposhtet nga Ukraina