Varhelyi takon Sarrazin, diskutojnë për Ballkanin Perëndimor

Komisioneri evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, këtë të martë ka takuar të deleguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, Varhelyi, ndër të tjera ka bërë të ditur se me diplomatin gjerman ka zhvilluar një diskutim të mirë mbi Ballkanin Perëndimor.

“Ne patëm një diskutim të gjatë dhe të thellë mbi Ballkanin Perëndimor, sfidat aktuale politike dhe ekonomike dhe si ta sjellim rajonin më shpejt në BE”, ka shkruar shkurtimisht Varhelyi në Twitter.

Ndryshe Sarrazin në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS, deklaroi, se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ulur për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovë në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri, si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit, ndonëse është pozitive nuk mjafton.

“Bashkimi Evropian ka një plan të qartë me tre pika që nuk nënkupton largimin e prezencës së forcave speciale të policisë në Veri dhe pranë ndërtesave komunale, dhe ulja prej 25 për qind është një hap drejt kësaj, por qartësisht që nuk përmbush kërkesat e Unionit”, tha ai për RTS.

Duke folur për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, njëra ndër kërkesat e komunitetit ndërkombëtar të cilën duhet ta plotësojë Kosovës me çdo kusht, Sarrazin theksoi se kjo temë diskutohet me krerët institucional kosovarë për çdo ditë.

“Situata duhet të qetësohet në mënyrë që njerëzit të kenë një jetë normale pa situata emergjente të përditshme, pa frikën se mund të ndodhë diçka çdo minutë. Ky është parakusht që ata të kthehen në tryezë, të fillojë dialogu dhe të formohet Asociacioni”, ka potencuar ai. /Albanianpost.com

Read Previous

Universiteti i Bernës: Lini në Pogradec, vendbanimi më i vjetër në Evropë

Read Next

Aksident komunikacioni në rrugën “Beqir Kastrati”